Qyteti i Kavajës është tronditur nga një ngjarje e pazakontë dhe shumë e rëndë. Një vajzë minorene është abuzuar nga një grup adoleshentësh, një pjesë e të cilëve janë arrestuar.
Ngjarja ka ndodhur dy muaj më parë, ndërsa ndalimi i tyre është bërë ditët e fundit. Në qytetin e Kavajës ishte gazetarja Juli Ristani, e cila na solli versionin e të atit të viktimës, vetëm 13-vjeçare.
“Babai na ka thënë se gjithçka ka nisur pasi vajza e tij hyri në marrëdhënie me një shokun e klasës. Ky i fundit, në pabesi e kishte xhiruar me anë të një shoku tjetër duke kryer marrëdhënie dhe, përmes kësaj videoje, ata e shantazhonin vajzën. Nëse ajo nuk i nënshtrohej marrëdhënies seksuale në grup me shokë të tjerë, ata do t’i publikonin videon për ta turpëruar në sytë e të gjithëve”, tha Juli Ristani.
Sipas gazetares së Top Channel, vajza ndodhet aktualisht në gjendje të qëndrueshme psikike, ndërsa i është nënshtruar edhe ekspertizës mjekoligjore, pas së cilës mjekët kanë dalë të tronditur.
Por, babai thotë se tashmë po përgatitet ta largojë vajzën nga Kavaja, për t’i siguruar asaj një jetë më të mirë në një vend të Bashkimit Europian.
Gazetarja raportoi gjithashtu se kishte shkuar në shkollën 9-vjeçare “Rilindja”, në autoritetet lokale dhe në komisariatin e Policisë së Kavajës, pa mundur të sigurojë informacione.
Marrëdhënie seksuale në grup, seancë me dyer të mbyllura për adoleshentët në Durrës
Ndërkohë, paraditen e kësaj të diele, është zhvilluar seanca me dyer të mbyllura në Gjykatën e Durrësit, për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj adoleshentëve të Kavajës, të akuzuar për përdhunim.
Të premten, kjo gjykatë kishte vendosur paraprakisht arrestimin e 8 adoleshentëve, nxënës të një shkolle 9-vjeçare në qytetin e Kavajës. Por, policia e ekzekutoi vendimin 24 orë me vonesë, duke arrestuar 7 prej tyre, ndërsa të tetin e kanë shpallur në kërkim.
Top Channel