Fiksi investigoi ankesën që bënë disa anëtarë të këshillit bashkiak të bashkisë Maliq, të cilët kishin muaj që ankoheshin që në listat e ndihmës  ekonomike ishin edhe ato familje,  anëtarë të cilëve ndodhen në emigracion apo janë të punësuar.

Sipas tyre punonjës, të cilët marrin rrogë nga bashkia, marrin edhe ndihmë ekonomike. Duke qenë se nga bashkia nuk ju dha akses për të bërë verifikimet, disa prej anëtarëve  të këshillit bënë një kallëzim pranë prokurorisë. Kjo e fundit mbylli hetimet duke u marrë vetëm më mënyrën e kërkimit të informacionit dhe jo me vetë çështjen, nëse kishte apo jo abuzime.

Fiksi verifikoi mbi 10 raste, emrat e të cilëve u vunë në dispozicion nga anëtarët e këshillit.  Nga këto raste, rezultoi që shumica të cilët pretendohet që janë jashtë shtetit, nuk kanë firmosur pranë njësisë administrative një herë në tre muaj, ashtu siç e kërkon edhe ligji.  Për ta, nga firmat duket të ketë firmosur vetëm njëri familjar. Rasti me flagrant është ai i  rojës së gjimnazit në Pirg, i cili jo vetëm është i punësuar dhe merr rrogë nga bashkia, por nuk shkon as në punë, dhe e zëvendëson i ati. Ai  merr rrogë 320 mijë lekë por trajtohet edhe me ndihmë  ekonomike. Ndërsa një familje prej katër vetash që jetojnë në Veliternë,  asnjëri nuk është në  punë, por nuk trajtohet më ndihmë.  Zyra e Punës i  ka hedhur në sistem gabimisht të dhëna sikur është i punësuar. Familjari disponon dokument që nuk ka paguar kurrë asnjë lloj sigurimi, por kjo nuk i merret parasysh nga bashkia, pasi nuk e lejon sistemi.

Verifikimi i këtyre rasteve u bë nga  gazetarët e Fiksit në bashkëpunim me  përgjegjësin e Zyrës së Ndihmës  Ekonomike . Emrat e kryefamiljarëve u verifikuan një për një në sistem. Gjatë kontrollit përgjegjësi  Azem Nuhum, nuk arrinte të sqaronte dot arsyen se si një i punësuar i bashkisë merrte edhe  rrogë edhe ndihmë ekonomike. Ai tha që këtë kontroll duhet ta bëjnë sigurimet dhe drejtoria e Korçës. 

Ndërsa për familjet, familjarët madhorë të cilëve nuk kanë vajtur për të firmosur, pasi dyshohen se janë jashtë, ai tha se është përgjegjësi e  njësive administrative  të cilat mbajnë formularët ku ata  paraqiten për të firmosur një herë në tre muaj, siç e kërkon ligji. Ndërsa për banorin e Veliternës, i cili nuk është i punësuar, madje ka edhe një vërtetim që nuk ka qenë kurrë i siguruar ai u shpreh “jemi në dijeni, po mundohemi që ta fusim me listat e këtij muaji ,por  fajin e ka sistemi”. Me zyrat e punës ata nuk kanë komunikuar zyrtarisht dhe  zyra e ndihmës ekonomike nuk e ka idenë pse  është hedhur në sistem sikur zotëria është i punësuar.

320 mijë lekë rrogë por edhe ndihmë ekonomike.
Rasti i rojës së gjimnazit Pirg, i cili është i punësuar sipas drejtorit të shkollës prej vitesh aty është sa flagrant, po aq i habitshëm. Pavarësisht se në sistem është hedhur se ai paguhet, ai sërish është parë e arsyeshme të trajtohet me ndihmë  ekonomike 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Gjithashtu ai nuk paraqitet në punë, por në vend të tij shkon i ati. Fiksi intervistoi edhe drejtorin e gjimnazit Pirg, i cili  i zënë në siklet nga Fiksi, fillimisht nuk e pranon se babai punon në vend të  birit. Kur vendoset para faktit ai e pranon dhe thotë që e zëvendëson me raste. Por nga ana tjetër nuk është se paguhet nga shkolla sepse rojën e cakton bashkia.

Sistemi e nxjerrë të punësuar, qytetari s’ka qenë kurrë në punë
Babai i dy fëmijëve nga fshati Veliternë i Maliqit ka mbi një vit pa punë pasi sipas tij nga zyra e punës është bërë një gabim në sistem, është shënuar sikur është i punësuar. Për këtë arsye kërkesa e tij për t’u trajtuar me ndihmë është refuzuar tre herë. Ai thotë se pavarësisht se ka dërguar edhe vërtetim të marrë pranë Institutit të Sigurimeve që nuk ka qenë i siguruar, nga bashkia nuk i është marrë parasysh. Gjendja e tij familjare nuk është e mirë. Ka dy fëmijë të vegjël dhe  jetojnë në një dhomë të vogël katër veta.

Qytetarë “Analfabetë” dhe firma të njëjta
Punonjëset e njësive nuk e mbajnë mend kush i ka hedhur firmat që janë njësoj. Fiksi bëri verifikime edhe nëpër njësitë ku duhet të firmosin personat madhorë  të familjeve që trajtohen me ndihmë. Në njësitë Pirg dhe Vreshtas të Maliqit. Punonjëset ngrenë supet edhe thonë që ndoshta nuk janë firmat e tyre, pasi nuk i mbajnë mend, ose nuk e dinë nëse i kanë firmosur ata. Ndërsa njëra prej tyre thotë që firmat mund të ngjajnë me njëra tjetrën, pasi qytetarët që trajtohen me ndihmë ekonomike janë kryesisht analfabetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA