Turin e takimeve, Lulzim Basha po e shfrytëzon jo vetëm për të ftuar qytetarët në protestën e 16 shkurtit, por edhe për të shpalosur programin ekonomik të partisë që ai drejton.
“Do të heqim taksën ‘Rama’ të karburanteve, do të ulim çmimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset. Do t’i kthejmë ndihmën ekonomike kujt ia kanë hequr”, tha Basha.
Me lezhianët, Basha diskutoi edhe mënyrën sesi duhet të largohet Edi Rama.
“Nuk ikën Rama me lule, ta rrethojmë”, tha një banor.
“T’i vemë prangat”, u hodh një tjetër.
“Prangat, me ligj”, iu kundërpërgjigj Basha.
Përpara vendvarrimit të Skënderbeut, Basha tha se një popull që nuk nxjerr mësim nga historia do ta pësojë, ndaj iu bëri thirrje lezhianëve që më 16 shkurt të marrin në duar fatet e tyre.
“Ai nuk është kryeminsitri juaj. Ka ardhur në pushtet nga pakti me Ndokët, Berishët, Shullazët. Merrni në duar fatet tuaja”, tha Basha.
Kurbinasit i kishin rezervuar një pritje ndryshe kryedemokratit.
“Shoh që qenka kthyer në miting takimi. Kjo zonë ka qenë në shënjestër të bandave të Edi Ramës. Spitali juaj është si në Luftën e Parë Botërore. PD do t’iu dalë zot”, tha Basha.
Nga Kurbini, ftesa për pjesëmarrje në protestë nuk ishte vetëm për demokratët, por edhe për socialistët.
“Socialistët e di që janë të zhgënjyer, ndaj bëhuni bashkë më 16 shkurt me ne”, tha Basha.
Top Channel