Kryeministri Edi Rama ishte në Dushnik të Beratit ku vizitoi një sipërmarrje të bimëve medicinale që eksporton në Amerikë dhe vende të Europës.
Biznesmeni tregoi se zerimi i taksës për makineritë e prodhimit dhe lehtësirat e tjera fiskale e kanë ndihmuar të rrisë prodhimin, ndërsa me mbështetjen e programit IPARD synon të zgjerohet më tej.
“Aty mund të shtojmë edhe 60 punëtorë të tjerë sepse do të shtojmë edhe frutat, pasi projekti që kemi bërë nuk lejon që frutat të jenë bashkë me bimët medicinale. Edhe rrogat do t’i rrisim. Por duhet të bëjmë investime që të zgjerojmë hapësirat, pasi janë shumë të kufizuara”, tha sipërmarrësi.
Rama premtoi mbështetjen e qeverisë për sipërmarrësit që paraqesin projekte dhe ide të qarta: “Ne e kemi të gjithë vullnetin. Mundësitë e reja janë të jashtëzakonshme sepse bëhet fjalë për një volum fondesh shumë të madh, por siç e kemi mësuar nga jeta me Perëndimin ku ti eksporton, duhen letrat mirë të kopsitura, idetë e qarta, strategjia e qartë dhe në fund paratë janë, po para’ që “hajde se po i hedhim”, s’ka”.
Kryeministri vizitoi edhe një tjetër sipërmarrës që me ndihmën e AZHBR-së rindërtoi serrat që ia kishte shkatërruar moti i keq: “Rritja e eksporteve dhe ulja e importeve tregon rritje të prodhimit vendas, prodhohet shitet dhe fitohet”.
Bashkimi Europian ka dhënë dhjetëra miliona euro në mbështetje të fermerëve, tha Rama, por për t’i përfituar duhen ide konkrete të hedhura në letër.
Top Channel