Gjatë ditëve të fundit si ministër i Jashtëm në detyrë, derisa u miratua edhe në Kuvend dekreti i presidentit të Republikës për zëvendësimin e tij nga kryeministri Rama, apo i deleguari i tij Cakaj në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, ish-kryediplomati Ditmir Bushati ka marrë letra falenderimi nga homologët e tij të huaj, veçanërisht ata të partneritetit strategjik me Shqipërinë.
Përmendim këtu Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ministrin e Jashtëm të Italisë, Enzo Moavero Milanesi, ai turk Mevlut Cavusoglu, por edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Alan Duncan.
“Unë jam plotësisht dakord me vlerësimin tuaj të partneritetit strategjik të suksesshëm mes dy vendeve tona, që ju ndihmuat të forconi gjatë qëndrimit tuaj si ministër i Jashtëm. Në 27 vitet e fundit, Shqipëria ka qenë një aleate dhe një mike e patundur e Shteteteve të Bashkuara. Qeveria ime është veçanërisht mirënjohëse për angazhimin e Shqipërisë për të promovuar demokracinë, stabilitetin dhe sigurinë, si një aleat i përkushtuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë në koalicionin global për të mposhtur ISIS-in. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë, ndërsa përparon në rrugën e saj të drejt anëtarësimit në BE. Ju uroj gjithë të mirat në vijim të punës suaj si anëtar i Parlamentit. Ju falënderojmë për punën që po bëni në Parlament për të siguruar përparimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, drejtuar Bushatit.
Edhe britaniku Alan Duncan ka vlerësuar angazhimin e ish-ministrit, ndërsa ka veçuar reagimin e shpejtë dhe në një zë me aleatët perëndimorë, në lidhje me dëbimin e diplomatëve rusë pas sulmit në Salisbury, sikurse edhe angazhimin dhe rolin e Shqiperisë në kuadër të procesit të Berlinit.
“Faleminderit për bashkëpunimin e ngushtë që ne patëm gjatë kohës suaj si ministër i Jashtëm. Vendet tona bashkëpunojnë në një gamë të gjerë çështjesh të politikës së jashtme, e unë personalisht jam shumë mirënjohës për veprimet që morët si pjesë e reagimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj agresionit të Rusisë në Salisbury. Ishte kënaqësi të punoja me ju dhe ju uroj shumë suksese në përpjekjet tuaja të ardhshme”, shkruan ministri britanik për Europën, Alan Duncan.
Nuk kishin si të mungonin falenderimet nga dy vende mike të Shqipërisë, sikurse janë Italia dhe Turqia, me të cilat vendi ynë ka edhe volumin më të madh tregtar. Duke i cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet mes Shqiqërisë dhe Italisë, ministri i Jashtëm Enzo Moavero Milanesi i ka shprehur mirënjohjen Bushatit, për rolin e tij në rritjen cilësore të këtij bashkëpunimi.
“Dëshiroj të të shpreh falenderimet e mia më të ndjera për bashkëpunimin e frytshëm të ndërtuar gjatë këtyre muajve. Sinergjitë e maturuara në fusha të ndryshme; midis të cilave për nga rëndësia e tyre kujtoj impenjimin e përbashkët në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, sikurse edhe bashkëpunimin në kuadër të pjesëmarrjes së përbashkët në OSBE; do të jenë një themel i fortë për të vijuar në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Këto marrëdhënie, tashmë të shkëlqyera, patjetër që kanë regjistruar një rritje të mëtejshme cilësore gjatë mandatit tuaj”, thekson Enzo Moavero Milanesi.
Ndërsa ish-homologu turk Mevlut Cavusoglu e falënderon për bashkëpunimin dhe konsolidimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
“Dëshiroj të shpreh falenderimet e mia të sinqerta për bashkëpunimin tuaj, gjatë qëndrimit tuaj si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Dua të ritheksoj mbështetjen tonë për kandidaturën e Shqipërisë, si një anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 2022-2023”, shkruan Cavusoglu në letrën dërguar Bushatit.
Top Channel