Dyert e gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi’ janë të hapura edhe këtë të diel për studentët e drejtësisë, ku po zhvillohet normalisht procesi mësimor.
“Po zhvillojmë mësim rregullisht, tani sapo mbaruam leksionin të gjithë pedagogët kanë qenë”, thotë një student.
Për shkak të orëve mësimore të parealizuara gjatë protestës, zëvendësimi i tyre do të bëhet i mundur gjatë çdo fundjave. Për studentët zhvillimi i programit mësimor në fundjavë është mbingarkesë, por që në këto rrethana nuk mund të kundërshtojnë pasi s’mund të humbin më shumë.
“Sigurisht që është e lodhshme të bëjmë mësim gjatë fundjavës, pa ndërprerje, mirë po në të tilla kushte ndodhemi dhe do të sakrifikojmë. Kemi mungesë shumë të gjatë dhe duhet bërë me patjetër mësim. Duhet të kompensojmë ato ditë të cilat kemi humbur. Është paksa e lodhshme sepse është gjithë ngarkesa e javës, dhe mësimet janë të ngjeshura’ thonë studentët.
Mirëpo klasat e vogla të gjimnazit janë shqetësim për studentët, të cilët e kanë të pamundur dëgjimin e leksionit, pasi ka edhe student që qëndrojnë në këmbë. Por nga ana tjetër, transferimi i procesit mësimor të Fakultetit të Drejtësisë në shkollën e mesme ‘Petro Nini Luarasi’, po pengon dhe këta të fundit sepse shkëmbimi i karrigeve nga klasa në klasë ka bërë humbjen e disa prej tyre. Gjë që ka sjellë, siç e shikoni, mbajtjen e inventarit për objektet nga mësuesit kujdestar.
Top Channel