Shqipëria është një nga vendet me burimet ujore të pasura, por fatkeqësisht, përveç rastit të qytetit të Korçës, qytetarët e tjerë të vendit nuk arrijnë të kenë ujë pa ndërprerje në shtëpitë e tyre.

Sipas Entit Rregullator të Ujit, shqiptarët furnizohen me ujë të pijshëm më pak se 12 orë në ditë, ndërkohë që 2/3 e ujit që hidhet në rrjet nuk sjell të ardhura, praktikisht nuk faturohet.

Shqipëria ka 57 shoqëri ujësjellës-kanalizimesh. Problematika reflektohet në të gjitha qytetet dhe konfirmohet nga banorët e Lushnjes, Durrësit, Shkodrës, Fierit dhe Vlorës.

“Në orën 5 vej zilen, tani e merr me pompë, pa pompë nuk vjen. Në Durrës kam plot unë, ka ujë deti. Ka ndërprerje, por mbi të gjitha është papastërtia e ujit”, thonë banorët.

Nëse nuk banon në kat të parë, zgjidhja janë depozitat në tarracë apo në bodrume për pallatet e reja.

Enti Rregullator i Ujit thotë se në vitin 2018, 78% e popullsisë mbulohet nga furnizmi me ujë, ndërkohë që mbulimi me kanalizime nuk i kalon 52%, tregues i një cilësie jo të mirë të jetesës.

Reforma territoriale duhet të kishte shërbyer edhe në këtë drejtim, por deri tani sektori i ujësjellës-kanalizimeve ka një performancë të dobët shërbimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA