Dje dhe sot, pranë Sanatoriumit të Tiranës ka pasur dy raste vdekjesh. Rasti i parë është regjistruar mbrëmë, ai i një djali të ri të prekur nga pneumonia akute. Si fillim ai ishte prekur nga gripi, e më pas gjendja ishte komplikuar.

Ndërsa viktima e dytë ndërroi jetë në 10:30 të mëngjesit të sotëm. Bluzat e bardha nuk tregojnë nëse shkaktar ka qenë gripi, por ajo që thonë është se, ky spital rezulton i mbushur me pacientë të prekur nga gjendja gripale.

Arben Sula, 46-vjeçari nga Elbasani ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës në Sanatoriumin e Tiranës.

“Pacienti kishte rreth 5 ditë që kishte ardhur në spitalin tonë. U paraqit me një gjendje shumë të vështirë, me vështirësi në frymëmarrje. Fatkeqësisht vuante edhe nga patologji kronike të mushkërive, ishte duhanpirës dhe alkolist. E pavarësisht ndihmës, trajtimit agresiv dhe intesiv të dhënë në Reanimacion nga stafi ynë, nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë”, tha Alma Cani, reanimatore në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Qytetarët thonë se pranë spitalit mungojnë edhe medikamentet kryesore.

“Në Shqipëri ka çdo lloj mungese. Patjetër kam blerë vet vigonët dhe gjithçka. Kam një të shtruar për shkak të gripit”, thotë një qytetar.

Ajo që duhet të shtojmë është se, gripi këtë vit prek mushkëritë dhe sjell vështirësi në frymëmarrje. Tre pacientë, të cilët janë në rrezik për jetën, janë nga qyteti i Elbasanit. Ata janë shtruar prej disa ditësh pranë këtij spitali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA