Ambasadorët e Bashkimit Europian ranë dakord këtë të premte që shtetasve britanikë t’iu mundësohet lëvizje e lirë dhe pa viza në vendet e bllokut, edhe në rastin e një “Brexit”-i pa marrëveshje.

Propozimi i Këshillit Europian do t’iu japë kështu britanikëve qasje të lirë në zonën pa kufij të “Schengen”-it, që përbëhet nga 26 vende europiane, për udhëtime të kufizuara kohore prej maksimumi 90 ditë.

“Duke marrë në konsideratë afërsinë gjeografike, lidhjet mes ekonomive tona, nivelit të shkëmbimit tregtar dhe rastet e lëvizjeve afatshkurtra të personave mes Britanisë dhe vendeve të bllokut për çështje biznesi, për të kaluar kohën e lirë, apo edhe qëllime të tjera, udhëtimi pa viza do të lehtësonte turizmin dhe aktivitetin ekonomik, duke sjellë kësisoj përfitime për unionin”, lexohet në tekstin e hartuar nga shtetet propozuese.

Në një deklaratë shpjeguese për këtë lëvizje, Këshilli Europian tha se rregullat e BE-së theksojnë se përjashtimet nga regjimet e vizave jepen “me kusht reciprocitetin”.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është shprehur se nuk ka ndërmend t’u kërkojë viza qytetarëve të BE-së që udhëtojnë drejt Britanisë për qëndrime afatshkurtra”, thuhet më tej në të.

“Por, në rast se Britania e Madhe do të vendosë vizat për shtetasit e të paktën një shteti anëtar në të ardhmen, mekanizmi ekzistues i reciprocitetit do të aplikohet menjëherë”.

Vendimi për këtë propozim do t’i kalojë tashmë për miratim Parlamentit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA