Sheriati duhet të largohet nga Evropa; nën këtë titull, revista e përjavshme Elsevier, sjell qëndrimin e Pieter Omtzigt, deputet holandez dhe anëtar i asamblesë parlamentare të KE, sipas të cilit, Shqipëria, Azerbajxhani dhe Turqia duhet të distancojnë veten nga Deklarata e Kajros.
Bëhet fjalë për një deklaratë jo detyruese, për të Drejtat e Njeriut në Islam, të nënshkruar nga Shqipëria në vitin 1990. Sipas Omtzigt, nuk është e lejueshme që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës, të njohë si legjislacion të lartë sheriatin, dhe për këtë, ai ka paraqitur edhe një mocion në Strasburg, ku pritet edhe një votim.
“Duhet që Asambleja të shprehet kundër mundësisë që një shtet anëtar i KE të lejojë sheriatin, ligjin islamik, të mbizotërojë mbi Konventën Europiane të Të Drejtave të Njeriut”, tha Pieter Omtsig.
Përgjigjen më të mirë, deputeti holandez, e merr nga Johan te Velte, nga Fondacioni i Miqësisë Hollandë-Shqipëri që ka jetuar dhe punuar për pesë vjet në Shqipëri në kuadër të Organizatës Holandeze për Zhvillim. Ajo që i ka tërhequr vëmendjen Te Velte, është fotografia e xhamisë në Shqipëri, dhe dixhitura e saj; “Pazari dhe minaret në Shqipërinë që nënshkroi Deklaratën e Kajros në vitin 1990. Sheriati po udhëheq të drejtat e njeriut”.
“Ligji shqiptar nuk i referohet sheriatit apo parimeve të tij, por praktikave më të mira të demokracive perëndimore.Kushtetuta pa asnjë mëdyshje thekson se nuk ka një besim fetar zyrtar dhe të gjitha format e diskrimiminit, përfshirë diskrimiminim fetar, janë të ndaluara”, tha Johan te Velte.
Te Velte, sqaron se deklarata e Kajros ka vetëm kuptim simbolik dhe ky efekt simbolik, përsa i takon Shqipërisë, bie në terren shterpë.
Ai sjell si shembullin më të mirë tolerancën fetare në Shqipëri, të pashoqe në asnjë vend tjetër të botës. Vendi, sipas tij, ka kurs pro perëndimor dhe Shqipëria nuk ka nevojë të distancojë veten nga një deklaratë e nënshkruar 28 vite më parë për të siguruar se sheriati nuk do të ketë terren atje.
Top Channel