Hetimet për vrasjen e ish-policit, Arben Bilali, janë përqëndruar te hakmarrja. Për këtë arsye, prokurorët thirrën të japë shpjegime anëtarë të familjes Xhabafti, me të cilët, familja e viktimës ka një konflikt që nga viti 1997.
Por, ky i fundit, i sapokthyer nga Anglia për të vuajtur një dënim në Shqipëri me “shërbim prove”, deklaroi se të ndjerin e kishte parë vetëm njëherë në vitin 1992 dhe nuk e kishte takuar kurrë.
Ai ka alibi, sepse në momentin e vrasjes ka qenë duke drekuar me miqtë e tij. Sipas Xhabaftit, edhe për vrasjen e vëllait të tij, ai kishte dërguar disa njerëz në familjen Bilali, për t’u sqaruar se kjo familje nuk kishte gisht në atë ngjarje.
Ndërsa Xhabaftët, si familje në konflikt nuk pranojnë të kenë lidhje me këtë ngjajrje, policia arriti të gjejë se automjeti tip Benz, ngjyrë blu, nga ku ndodhi vrasja, kishte targa false që në fakt rezultojnë t’i përkasin një mjeti Fiat Punto, i vjedhur në Vlorë në vitin 2017.
Hetuesit kanë mundur të sigurojnë dy dëshmi me interes për hetimin, deri më tani. Njëri prej dëshmitarëve ka thënë se, përpara disa ditëve i ka ndjekur një makinë, e atë ditë ishte duke udhëtuar me viktimën.
Gjithashtu, një tjetër shok i viktimës ka thënë se një makinë i ka ndjekur ditët e fundit. Nga hetimet mësohet se viktima ka pasur një pistoletë me vete, por shokët e tij ia kanë hequr në momentin që e larguan trupin e tij për në spital, për t’ia dorëzuar më pas policisë.
Top Channel