Kamera e “Fiksit” ka filmuar sherrin dhe përplasjen mes studentëve që duan mësim dhe atyre që protestojnë.
Studentët protestues nuk e pranojnë dhunën, por as nuk japin shifra sesa studentë janë të ngujuar, pasi sipas tyre nuk duan të dëmtojnë të ngujuarit. Ata pretendojnë se, ata që duan të prishin protestën janë FRESSH-ista.
Ndërsa studentët që duan të bëjnë mësim i akuzojnë ata që bllokojnë mësimin si të PD-së.
Në Universitetin e Shkodrës, të gjitha fakultetet nuk kryejnë mësim, përveç atij të Shkencave Natyrore. Në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dy ditët e fundit janë përplasur studentët protestues, me ata që duan të bëjnë mësim.
Studentët e ngujuar janë studentë të Drejtësisë, të cilët janë ngujuar në hollin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore. Në korridorin kryesor, ata kanë vendosur banka e karrige mbi njëra-tjetrën. Studentëve që duan të bëjnë mësim u kërkojnë të kalojnë mbi këto banka, pa e hequr barrikadën.
Një natë më parë, “Fiks Fare” transmetoi një video të mbërritur në redaksi, ku pretendohej se ishte dhunuar një studente që kërkonte të hynte në mësim. Pas transmetimit, gazetarët vajtën për të verifikuar nëse është e vërtetë. Studentët protestues e mohojnë që fotoja e këmbës me shenja dhune është e studentes së Fakultetit të Shkencave Shoqërore.
“Fiksi” tentoi të intervistonte studentët që bllokojnë mësimin, por ata nuk pranojnë të xhirohen dhe të japin intervista. Roja i institucionit i qetëson, duke i thënë se nuk do ta lejojë grupin e xhirimit t’i filmojnë.
Gazetarët e “Fiksit” kërkuan edhe një takim me dekanen e Fakultetit, por ajo nuk pranoi të japë intervistë, duke pretenduar që është në një mbledhje që po zhvillohet për këtë problem.
Në një intervistë me “Fiksin”, studentët përfaqësues të protestuesve, që kanë qenë edhe pjesë e videos, pretendojnë që nuk ka pasur dhunë dhe se studentët janë të lirë të futen të bëjnë mësim. Ata nuk pranojnë të japin as shifra dhe as foto të personave që janë ngujuar në Rektorat, duke thënë vetëm se numri i studentëve të ngujuar dhe protestues është mjaftueshëm. Ata pretendojnë që ata që duan të prishin protestën janë FRESSH-ista.
Edhe gjatë pranisë së gazetarëve të “Fiks Fare”, studentët protestues sërish debatuan me ata që donin të bënin mësim. Debati mes studentëve degjeneroi në dhunë. Nga konflikti me fjalë, ata kalojnë në përplasje fizike, duke shtyrë e sharë njëri-tjetrin.
Sherri bëhet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore midis studentëve.
Studenti – Çfarë bëtë? Ne kishim qejf me hy me bo mësim!
Studenti protestues – Me hy pra…
Studenti – Mund t’i heqim këto?
Studenti protestues – Jooo. Veç të hipësh sipër!
Studenti – Të kaloj gjithë ato banka për me thy qafën, sepse shih si i keni ngrejt.
Studenti protestues – Pa merak se të ndihmojmë na…
Studenti protestues – A të pyes diçka, e do me dit se pse asht kështu situata?
Studenti – A mundesh me i fol, sepse ky ka kenë personi që e ka shty kët!
Studenti protestues – E para, ne vetëm ndër femra nuk kena përdor dhunë.
Studenti – Jo, jo po folin ashtu…Është video që është publiku dje.
Studenti – Unë të kam ra pasi ti më shtyve.
Studenti protestues – Unë të kam shty ty? Ma trego i video.
Studenti – Nuk më ka bo kush video, kam qenë këtu me atë tjetrin.
Studenti protestues – Po mirë moj, por më sill një video që unë të kam cik ty qoftë edhe me dorë.
Studenti protestues – Kush të ka sha more shqiptar?
Studenti – Kqyre pra kujt jam t’u i thonë, i këtij këtu.
Studenti protestues – E di shumë mirë ça të ka thënë. Të ka kap karrigen, e ka hedh, dhe ka thanë, s’ka burrë nane që kalon sipër.
Studenti – Çfarë je dukë bërë kshu kamer…
Studenti protestues – Heki duart! Mua mos më prek telefonin në dorët. Heki more duart të thashë, heki duart, mos më merr telefonin në dorët. Mos më ban do gjeste. Ore zotëri heki duart të thashë…
Studenti protestues – O dua të dal përjashtë mo, se s’kam punë me ken mor burrë, po heki durët!
(dalin jashtë shkollës duke u zënë)
Studenti – Ça bamë mre!
Studenti protestues –Ça bamë! A do me hy në mësim, hy në mësim, ça doni me kriju sherr.
Studenti – Jemi duke fol.
Studenti protestues – Po ça jeni duke fol. Lene atë punë.
(Katër studentë rrethojnë duke e mbështet pas kangjellave njërin nga studentët)
Studenti protestues – Ti a më njef mu! I ta provokime nëse më njëf mu nuk duhet t’i bësh
Një tjetër student protestues i drejtohet vajzës që pretendon se është dhunuar me ton të lartë.
Studenti protestues – Ti, me shku me i hap kamerat e me i çu në prokurori. E MOS TË SHOF MË KËTU!
Studenti protestues – Me shku me hap kamerat e me e çu në prokurori.
Studenti – Kush je ti me më largu mua nga shkolla! Ti nuk je i fakultetit tim fare.
Studenti protestues – Nuk të largoj.
Studenti – Nuk je në fakultetin tim fare.
Studenti protestues – Universiteti është i JEMI.
Top Channel