“Kush fle me qenin, gdhihet me pleshta”. Me këtë shprehje popullore e ka nisur Rama reagimin e tij të shfajësimit për çfarë ndodhi këtë të enjte gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku pati një përplasje të ashpër mes kryeministrit dhe opozitës, veçanërisht ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Kjo është ajo që më ndodhi edhe mua sot. Kur të zë rrugën një i marrë, një rrugaç apo një i dehur, është e pamundur të kalosh, nëse nuk merresh me të në një mënyrë a një tjetër. Por këtu te ne, ky i marrë apo rrugaç merr deri formën e deputetit në Kuvend, për t’u shfaqur vazhdimisht për turpin e të gjithëve ne si shoqëri”, deklaroi më tej Rama.

Kryeministri e cilësoi “gozhdë në zemër” fatkeqësinë që në Kuvend nuk sfidohet nga inteligjenca, përgatitja, oratoria apo dinakëria e kundërshtarit, “por i sulmuar nga vrashtësia, injoranca, gojëndytësia dhe muskujt e tij”.

Rama thotë më tej se nuk e ka gjetur dot sesi ta shmangë të gjithë këtë shfaqje të ndyrë, apo sesi të injorohen të paudhë që rrinë si një masë amorfe frymorësh.

Duke kërkuar ndjesë për shqetësimet që u janë shkaktuar qytetarëve, Rama tha se nuk mendon asnjë sekondë të ditës së tij për Saliun, por kur i del përpara të enjteve në Kuvend, ndonjëherë nuk i kapërdin dot ato çfarë nxjerr nga goja “ky farë burri pa Bibël, pa Kuran dhe pa Kanun”.

Ai akuzon më tej ish-kreun e PD-së se ka hyrë në shtëpinë e tij dhe ka traumatizuar familjen, duke e quajtur madje si fabrikues i shumë shpifjeve monstruoze.

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on Thursday, January 31, 2019

“Por ky krokodil që zvarritet duke marrë me vete edhe shumë të tjerë, nuk ngopet dhe nuk ndalet në gjuetinë e tij shtëpi më shtëpi, dhomë më dhomë, krevat më krevat, djep më djep dhe varr më varr”, tha Rama.

Rama akuzoi edhe portalet që përhapin llumin e tij, pa marrë mundimin për të vërtetuar ndonjëherë nëse gënjen ai “i përdalë”, apo vet kryeministri për këtë “monstruozitet” të lëvruar për 20 vite.

“Në fakt unë nuk merrem me të që po tkurret çdo ditë para syve tanë, por nuk mund të rri pa u marrë me Shqipërinë dhe atyre që vrapojnë pas tij. Pasi e zhytën këtë vend në krim dhe rrëmuja, sot kërkojnë sërish pushtet për të rizhdukur shpresën bashkë me rrugën drejt së ardhmes”, tha më tej Rama.

Ai kërkoi në fund nga njerëzit që mund t’i numërojnë shumëçka të gabuar apo të pabërë deri më sot, por jo ta krahasojnë me paraardhësin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA