“Bandat, ose blejnë votat, ose shantazhojnë njerëzit!” Kështu është shprehur Vangjush Dako, i ftuar këtë të enjte në “Open” nga Eni Vasili, në Top Channel, kur tha se asnjëri prej panelistëve nuk kishte asnjë provë të vetme se ata kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, apo nëse ata kanë marrë përfitime nga ai si kryebashkiak.

Dako këmbënguli për të disatën herë se, Partia Socialiste nuk është marrë ndonjëherë me emra, por me fenomenin dhe, teksa tha se nga përgjimet nuk del asgjë e re apo implikuese për të, por e konsideroi këtë sulm ndaj tij thjesht si një përpjekje përkundër fitores së thellë të tij në mandatin e fundit, përmendi edhe njëherë periudhën zgjedhore të vitit 2009, kur bandat e Shijakut bënin terror ndaj qytetarëve, pasi kishin mbështetjen e Sali Berishës.

Por, Mentor Kikia tha se, nëse këto përgjime do të dilnin diku tjetër, në ndonjë vend të Bashkimit Europian, politikani apo kryebashkiaku do të kishte dhënë dorëheqjen.

“Publikimi i këtyre përgjimeve në fakt nuk është sulm ndaj zotit Dako, por është një dështim i turpshëm i Prokurorisë. Këto dokumente flejnë prej kohësh në Prokurori, e sot doli me deklaratën për nisjen e procedimit penal për nxjerrje të sekretit hetimor nga gazetarët. Prokuroria duhej të kishte arritur në një konkluzion nëse ka vepër penal apo jo në këto përgjime dhe ta kishte çuar çështjen në gjykatë. Ne të gjithë kemi nevojë ta ndajmë nëse kemi apo jo vepër penale këtu. Politikisht, unë e bëj përgjegjës zotin Dako, por më shumë përgjegjëse unë bëj sot Prokurorinë, që shqetësohet më shumë se i doli sekreti, sesa nëse ka vepër penale nga i akuzuari apo jo”, tha Kikia.

Idesë së Mentorit i mëshoi disi edhe Abilekaj, kur tha se Prokuroria sot nuk po heton gazetarët, por vetveten.

Sa i përket rasteve të tilla si Dako apo edhe të së kaluarës, Abilekaj tha se të gjithë ne e dimë shumë mirë që të tilla gjëra ndodhin, por ndonëse ky “normalitet” mbetet në heshtje në rastet e tjera, apo mbetet thjesht si teori se në Shqipëri ka krim, me Dakon është hera e parë që të tilla gjëra bëhen publike.

Kikia u shpreh më tej se nëse do të flisnim në kushtet e vettingut politik, Dako mund të mos penalizohej, sepse përgjime për shitblerje votash kemi pasur edhe në të kaluarën, në Korçë, në Dibër e kudo. Problemi është te zvarritja e hetimit, – tha Kikia, – e sa më shumë të zvarritet, aq më shumë hapësira ka politika për ndikim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA