Pas përplasjeve të studentëve në Fakultetin e Drejtësisë, një grup që kërkonin nga strukturat arsimore garantimin e procesit mësimor, e pjesa tjetër që prej 3 javësh kanë bllokuar hyrjen e Fakultetit, procesi mësimor për Juridikun u transferua të mërkurën në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.
Studentët, të cilët duan të fillojnë mësim, janë penguar sërish nga studentët e ngujuar, të cilët kanë mbyllur me dryn derën e këtij gjimnazi. Kthimi në gjimnaz ka sjellë pakënaqësi, por edhe mirëkuptimin e studentëve.
Klasa X e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” do të jetë një nga sallat ku do të zhvillojnë mësim studentët e Masterit Shkencor të Fakultetit të Drejtësisë, lënda “E drejta ndërkombëtare private”, por karriget janë të pamjaftueshme për studentët.
Pasi nxënësit do të mbarojnë mësimin, 38 klasat e gjimnazit, nga ora 2 deri në 11 të natës do të jenë në dispozicion të studentëve të Drejtësisë. Në këtë mënyrë shkelet e drejta që këto mjedise të shfrytëzohen nga nxënësit edhe pas orëve mësimore.
Por, dekani i Fakultetit Artan Hoxha deklaron se kjo është një zgjidhje e përkohshme.
“Do të bëhet mësim të shtunë, të dielë, nga mëngjesi deri në darkë. Do të bëhet pasditeve mësim, çdo ditë këtu. Ne shpresojmë që edhe studentët, të cilët kanë bllokuar ambientet e Fakultetit, ta ndjekin procesin mësimor, sepse të gjithë këta studentë janë protestues”, tha dekani Artan Hoxha.
Top Channel