Mazhoranca paraqiti në Komisionin e Ligjeve propozimet për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, pjesë e të cilave është edhe nevoja për paraqitjen e provave konkrete, në rastet kur Prokuroria kërkon arrestimin e një deputeti. Opozita kundërshtoi duke e cilësuar këtë provë të frikës që ka kapur shumicën.
“Frika juaj nga ndjekja penale. Turp i madh të rikthehesh në rudimentet e imunitetit”, u shpreh deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj.
Numri dy i socialistëve shpjegoi se bëhej fjalë për një reflektim të Kushtetutës, por ofroi gatishmërinë të tërhiqte nenet në fjalë, duke i dhënë mundësinë opozitës që t’i shkruante ato.
“I tërheqim, le të prevalojë Kushtetuta. Ose le t’i shkruajë opozita si të dojë, ka fletë të bardhë”, u shpreh Balla.
Tjetër shqetësim i opozitës është se ndryshimet nuk po kalojnë nga Këshilli i Rregullores, ku palët kanë secila 5 anëtarë, por nga Komisioni i Ligjeve, ku socialistët kanë shumicën. Edhe në këtë rast, Taulant Balla garantoi se rregullat e përbashkëta të lojës nuk do të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme.
“Testi i asaj që thua se tërhiqeni, fletës së bardhe, është Këshilli, ku nuk keni forcën e kartonave”, tha Alibeaj.
“Çfarë garancie kam unë që nuk ikën prape ti? Se edhe këtu je me marrëdhënie të kushtëzuar. Nëse më garanton që nuk ikën, le të shkojë në këshill”, iu përgjigj Balla.
Mbledhja u mbyll pa dakortësi, ndërsa opozita pret që tërheqjen e mazhorancës nga nenet për imunitetin ta ketë me shkrim.
Top Channel