Përveç telave që ndajnë qiellin me burgun, në fushën e ajrimit, ecja e një të dënuari ka ritëm dhe shpejtësi tjetër. Sipas ligjit të burgjeve një i dënua i zakonshëm del në ajrim dy herë në ditë, ndërsa të gjithë ata që do t’i nënshtrohen “41 bis” do të dalin në ajrim dhe ecje vetëm një herë në ditë, dhe me orar të përcaktuar.
“41 bis” i aplikuar në Itali ndaj Toto Rinës apo Provencanos pritet të izolojë e të vendosë nën kontroll të veçantë të dënuarit e grupit të imamëve, të cilët rekrutuan luftëtarë në Siri, apo Emiliano Shullazin për sa kohë u shpall fajtor për grup kriminal, si edhe të të dënuar që u shpallen fajtorë për vrasje të efektivëve të policisë në vite.
Aplikimi i këtyre masave kryhet pas dështimit të autoriteteve, të cilave shpesh ju dilnin në përgjime të burgosurit duke dhënë urdhra për krime të ndryshme.
Çdo i dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal, akte terroriste, trafik ndërkombëtar droge, apo pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal do t’i nënshtrohen ligjit “41 bis” që është një nga ligjet italiane ndaj grupeve mafioze në shtetin fqinj.
Por ky ligj nuk mund të zbatohet megjithëse hyri në fuqi këtë te mërkurë përderisa ende nuk kanë nisur nga funksionimi Prokuroria e Posaçme SPAK.
Edhe pse urdhri për vendosjen nën “41 bis” e jep Ministria e Drejtësisë, kjo gjë nuk ndodh nëse kreu i Prokurorisë SPAK nuk ka dorëzuar një kërkesë të arsyetuar ndaj të burgosurit, ndërsa bëhen pjesë e këtij kontrolli të rreptë edhe 4 institucione të tjera si Drejtoria e Përgjithshme e policisë, Shërbimi Informativ dhe Ministria e Brendshme.
Vendosja nën regjim të posaçëm të të paktën 270 të dënuarve dhe të paraburgosurve do të thotë se ndaj tyre do të vëzhgohen takimet me familjarët, këto takime do të përgjohen dhe regjistrohen. E gjitha kjo ndodh me qellim për të parandaluar takimet me njerëz të jashtëm.
Një i dënuar që iu nënshtrohet kufizimeve të tilla për të paktën një vit, ka të drejtë të ankohet në gjykate, ashtu siç u ankua në Gjykatën e Strasburgut Provenzano, i cili fitoi kundër Italisë me kartën e të drejtave të njeriut.
Top Channel