Të paktën 14 herë u qëllua mbi Arben Bilalin, 50 vjeç, me një armë automatike kallashnikov. Për shkak të plagëve të rënda të marra, ai ndërroi jetë në spital, ku u transportua nga persona që ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Salla operative e policisë u lajmërua në orën 14:35 për të shtëna të shumta në lagjen “Selitë”, në kryeqytet. Në vendin e ngjarjes, policia arriti të gjejë prova të mjaftueshme për të kuptuar dinamikën e atentatit.
Përveç gëzhojave të shumta, ajo sekuestroi të gjitha pamjet filmike të bizneseve ku ndodhi ngjarja, e zbulon se atentatorët lëviznin me një automjet tip “Benz Mercedes”, me ngjyrë blu të errët dhe me targa të falsifikuara.
Vrasësi nuk ka dalë nga automjeti dhe ka nxjerrë armën nga dritarja e pasme. Ai qëndronte i ulur në sediljen prapa shoferit dhe kreu qitje me zjarr të hapur në drejtim të 50-vjeçarit Arben Bilali. Vrasësi, jo vetëm që nuk ka dalë nga automjeti, por nuk e ka nxjerrë as kokën prej makinës, gjë që do t’i jepte policisë një mundësi identifikimi.
Automjeti është larguar më pas me shpejtësi, ndërsa policia vazhdon të mbledhë prova të tjera filmike për të parë se ku është ndalesa e fundit e këtij automjeti, nga ku u krye vrasja.
Ndërsa viktima Bilali, i cili ka qenë një ish-punonjës policie, ishte në automjetin e tij “Hyundai”. Në atë moment kishte parkuar për të shkuar në një lokal në afërsi të vendngjarjes. Krimi ka ndodhur në të njëjtin vend, ku viktimës i kishin vrarë vëllain 9 vite më parë.
Pista kryesore e kësaj vrasjeje mbetet ajo e hakmarrjes. Bilali ishte pjesë e një familjeje, që prej vitesh janë në një hasmëri me një tjetër fis në “Yzberish” të Tiranës, e prej këtij konflikti numërohen disa të vrarë nga të dyja familjet. Konflikt ky që daton prej vitit 1997.
Top Channel