Një sasi prej 122 kg kanabis u sekuestrua gjatë një aksioni të antidrogës greke në afërsi të Janinës. Lënda narkotike ishte ngarkuar në kufirin shqiptaro-grek, në vendin e quajtur “Meligus”.
Sipas palës greke, Antidroga e Janinës kishte informacion në rrugë operative se një sasi e madhe lënde narkotike ishte transportuar në kufi me mushka, e pasi trafikantët e kishin lënë për disa ditë të fshehur në një zonë me pyje të dendura, e kishin ngarkuar atë në një automjet të marrë me qira.
Agjentët po prisnin që droga të merrej në dorëzim prej trafikantëve, ndaj dhe kishin të gjithë zonën nën vëzhgim.
Puna e tyre duket se është lehtësuar ndjeshëm në momentin që kompania, që kishte dhënë makinën me qira, i ka dërguar policisë sinjalin e GPS-it.
Siç kompania pohoi, sinjali GPS i mjetit ishte dërguar nga një zonë kufitare, e cila nuk ishte deklaruar prej qiramarrësit, ndaj dhe kompania u detyrua të njoftojë autoritetet, e shqetësuar se mos mjeti trafikohej në Shqipëri.
Por agjentët, pasi bllokuan çdo mundësi që mjeti të dilte jashtë vendit, e vunë atë në ndjekie në distancë, e pas disa kilometrash, në aksin rrugor “Egnatia” i bënë shenjë që të ndalojë, por 22-vjeçari që e drejtonte tentoi të largohet duke e braktisur mjetin pak kilometra më tej.
I ndjekur me vrap në një kodër, ai u detyrua të dorëzohet. Prej kontrollit në mjet u gjet sasia prej 66 pakosh të mbështjella me letër natriban, me peshë 122 kg, dy celularë dhe 50 euro “cash”.
Prej hetimeve rezultoi se lënda narkotike do të dërgohej në Athinë, ku dhe do t’i dorëzohej porositësit të saj, një 22-vjeçari shqiptar, tashmë i shpallur në kërkim, i cili është personi që ka marrë me qira automjetin e përdorur për trafikun e lëndës narkotike.
22-vjeçari do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie mëngjesin e së martës, ndërsa hetimet lidhur me këtë trafik i ka marrë në dorë Antidroga e Janinës.
Top Channel