Partia Demokratike i nisi protestat e paralajmëruara nga Gramshi, ku kundërshtoi ndërtimin e hidrocentralit në kanionin e Holtës. Përfaqësuesit e opozitës treguan kopjen e vendimt të Këshillit Kombëtar të Territorit, që i hap rrugë sipas tyre betonizimit të zonës, ndërsa kërkuan njëzëri anulimin e projektit.
“Vakia mban emrin e Edi Ramës, firmën e Damian Gjiknurit dhe të kukullave të Edi Ramës. Çfarë erdhën e thanë dje, edhe e shesin sikur ishin në takim me banorët sot? Thanë që e kanë pezulluar, po çfarë kanë pezulluar me gojë, kur ndërkohë kanë një vendim me firmë dhe me vulë në fuqi”, tha Jamarbër Malltezi.
“Ajo që presin sot qytetarët e Gramshit është pikërisht ajo që ata kërkojnë anulimin tërësor të ndërtimit të HEC-eve dhe të gjithë tregun e Gramshit”, tha Luçiano Boçi.
Anulimi i projektit, sipas demokratëve vjen vetëm përmes protestave.
Më herët, pas një sensibilizimi të madh qytetar, qeveria pezulloi punimet për ndërtimin e hidrocentralit në kanionin e Holtës, në Gramsh.
Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku dhe kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla zhvilluan një dëgjesë me qytetarët e Gramshit, nga ku u njoftua pezullimi i punimeve për ndërtimin e këtij hidrocentrali, por edhe për gjetjen e një ekuilibri mes nevojës për zhvillim ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Kam ndërmarrë pezullimin e të gjithë aktiviteteve të HEC-eve që janë licencuar ose që janë në proces licencimi. Për të bërë një skanim të pastër të statusit të tyre juridik dhe të shohim përputhshmërinë me impaktin mjedisor që ata krijojnë”, deklaroi Balluku.
“Pezullimi i ivestimeve në këtë central është shprehje e dëgjueshmërisë që institucionet shtetërore kanë mbi opinionin e njerëzve”, theksoi Klosi.
Nga ana e tyre, qytetarët e Gramshit janë shprehur të pakënaqur për mosinformimin për këtë çështje. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë ka vënë theksin në faktin që nuk do të preket hyrja e kanionit dhe të gjitha procedurat kanë qenë konform ligjeve.
Top Channel