Ministria e Shëndetësisë çon në gjykatë vendimin e Urdhrit të Stomatologëve për t’iu referuar një liste me çmime tavan për shërbimet dentare, pasi i konsideron të paaplikueshme.
Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim, pasi e konsideron të jashtëligjshëm këtë vendim.
Qytetarët i tremben çmimeve të publikuara: “Shikojnë dentistët që vijnë të huaj për dhëmbët dhe ngrenë çmimet. Nuk është e drejtë për ne shqiptarët, sidomos për pensionistët”.
Tregu stomatologjik shqiptar është totalisht jashtë kontrollit. Askush nuk kontrollon se çfarë materialesh përdoren në klinikat tona dentare. Në fakt, gjen materiale me cilësi shumë të dobët, deri te ato me cilësi shumë të lartë.
Enton Mele, i Shoqatës së Distributorëve të Pajisjeve Dentare, thotë: “Mungon kuadri ligjor për cilësinë kundrejt pacientit. Që tek aparaturat dhe te materialet e konsumit”.
Mele shpjegon se rritja e çmimeve nuk kontrollon cilësinë e shërbimit pasi janë një sërë aktorësh ata që duhet t’i përcaktojnë në varësi të kostove: “Çmimi është produkt analitik i të gjithë aktorëve. Në radhë të parë të Ministrisë së Shëndetësisë. Duhet të jetë rezultat i një bordi i cili përmbledh importuesit dentarë, Urdhrin e Stomatologut, Fakultetin e Stomatologjisë dhe përfaqësues nga dentistët e tregut të lirë operativ në vend. Një llogari analitike për të përcaktuar ku mund të bëhen kompromise brenda buxhetit të pacientit, pa cenuar cilësinë e shërbimit”.
Top Channel