Ismail Qemali ka zënë vendin e nderit në historinë e Shqipërisë si ati i shtetit shqiptar.
Ai u lind në janar të vitit 1844 në Vlorë e ndërroi jetë 100 vite më parë, më 24 janarin e vitit 1919, në Peruxha të Italisë. Ai ishte pinjoll i një familjeje aristrokrate të Vlorës që në Perandorinë Osmane kishte patur shumë zyrtarë. I shkolluar në Janinë, ai u zhvendos në Stamboll. Për shumë vite ka mbajtur poste në administratën otomane, pothuajse në gjithë hapësirën e perandorisë, por u detyrua të mërgonte në shumë vende europiane.
Pas Revolucionit Xhonturk më 1908, u kthye nga mërgimi dhe bashkë me 26 deputetët shqiptarë rreshtohet në partinë opozitare “Marrëveshje dhe Liri” për decentralizimin e perandorisë dhe lirinë e mësimdhënies së gjuhëve kombëtare. Gushtin e 1910 udhëtoi nëpër Evropë dhe kërkonte “autonomi administrative” për shqiptarët, por Porta e Lartë nuk e lejonte. Lëvizja kombëtare kishte nisur, ndërkohë dhe kryengritjet.
Ismail Qemali ishte në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e disa prej fuqive të kohës, siç ishte Perandoria Austro-Hungareze. Pas shumë takimeve në kryeqendrat europiane, Ismail Qemali mbërrin në Durrës, prej andej nis udhëtimi të cilin të gjithë e njohin nga filmi “Nëntori i dytë”.
Synimi ishte shpallja e shtetit shqiptar, ndërsa ushtria serbe ishte lëshuar për të pushtuar Elbasanin dhe Durrësin. Në Vlorë do të organizohej Kuvendi me delegatë nga të gjitha hapësirat shqiptare për të shpallur pavarësinë. Ajo u përpilua në shqip dhe osmanisht e në fund nga ky ballkon i vogël u shpall mëvetësia.
Top Channel