Kompania Shell tërhiqet nga kërkimet për naftë në Parkun Kombëtar të Zagorisë.
Pas kundërshtimit të banorëve dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama kundër kërkimeve, në një deklaratë të shkurtër për mediat, drejtori i kompanisë Shell në Shqipëri, Rohan D’Souza thotë: “Pavarësisht rezultateve të studimit sizmik që kompania planifikon në Bllokun 4, Shell nuk do të kryejë aktivitete kërkuese, shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë, e cila gëzon një mbrojtje të veçantë nga legjislacioni shqiptar”.
Banorë të Pogonit dhe Zagorisë kundërshtuan këtë të enjte përfaqësuesit e kompanisë Shell që shkuan për t’u shpjeguar projektin e kërkimit për naftë në Bllokun 4 dhe me ata u rreshtua kryeministri Edi Rama.
“Debati për kërkimet e naftës në Parkun Kombëtar të Zagorisë është i mirëseardhur për të kujtuar se: Ne e kemi shpallurParkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga hece, gurore, etj. Si mund të lejojmë aty shpime naftëkërkuese! Nuk bën vaki”, shkroi Rama në Twitter.
Një ditë më parë ishte vetë Rama që e përshëndeti po me një status në Twitter lajmin për fillimin e kërkimeve për naftë e gaz nga e njëjta kompani, por në Shpirag, në zonën e Beratit: “Një lajm tejet inkurajues nga takimi me kompaninë SHELL. Edhe pak javë na ndajnë nga prova e të vërtetës së Shpiragut, ku të gjitha të dhënat flasin për një rezervë të madhe gazi e nafte.Nëse prova del me sukses, impakti në ekonomi do jetë i konsiderueshëm duke nisur nga 2020”.
Projekti studimor i Shell-it parashikonte hapjen e rreth 3000 puseve me gjerësi 9 cm dhe thellësi deri 30 cm, në të gjithë territorin për të vlerësuar potencialin e nëntokës. Zagoria u shpall park natyror në korrik të vitit 2018.
Top Channel