Fiks Fare dokumentoi shkeljet ligjore të institucioneve qendrore, lokale dhe të firmës që po ndërton HEC-in brenda një zonë të mbrojtur. Sipas ligjit për Monumentet e Natyrës, diga e HEC-it dhe punimet e tjera duhet të ndërtoheshin mbi 200 metra larg hyrjes së kanionit.

Por, në realitet, firma ka filluar punimet në kuotën 0. Madje, ndërtoi edhe digën 135 metra larg hyrjes, në shkelje të plotë të ligjit. Nga ana tjetër, këshilltarët bashkiakë të Gramshit thanë se dëgjesat me popullin janë bërë pasi firma kishte filluar të hidhte beton.

Grupi i Fiks Fare udhëtoi drejt kanionit të Holtës në Gramsh. Në hyrje, ishte vendosur një tabele nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Dikur, ky kanion mbrohej nga shtetit. Por çfarë ka ndodhur më tej? Në muajin prill të vitin 2018, KKT-ja miraton një leje për shfrytëzimin e basenit ujor të këtij lumi.

Firma private “Era Hydro” fitoi koncesionin për HEC-in dhe filloi ndërtimin. Fiksi dokumentoi se firma ka bërë punime në hyrje të kanionit, ka gërryer shtratin e lumit, ka marrë zhavorr, madje ka bërë edhe një mur ngjitur me hyrjen e kanionit, duke e bërë të vështirë hyrjen te Monumenti i Natyrës.

Gazetarët e Fiks Fare biseduan me z.Xhek Nezha, drejtorin e Zonave të Mbrojtura në Elbasan. “Vendi është Monument Natyre. Nga ana jonë nuk është dhënë pëlqim për ndërtimin e HEC-it. S’na kanë sjellë asnjë shkresë. Nuk na ka ardhur shkresë për mendim. Nuk jemi pyetur fare. Me ligjin e ri të zonave të mbrojtura, çdo zonë monument natyre duhet të ketë një zonë buferike 200 metra nga fillimi i monumentit. Nuk e di pse e kanë bërë, duhet të anulohet. Është diçka që ja vlen, s’kemi pse ta shkatërrojmë. Ne nuk jemi shprehur as pyetur. Ligji e parashikon që duhemi pyetur” tha ai. Ndërkohë, një punonjës i firmës tha se “diga është 135 metra larg hyrjes së kanionit”. Pra, sërish në shkelje të plotë të ligjit.

Sipas vëzhgimit të Fiks Fare, i gjithë vendi është kthyer në një kantier ndërtimi, madje janë hedhur me tonelata me beton. Armatura ka filluar prej disa muajsh, ndërsa punimet janë parashikuar të përfundojnë në vitin 2020. Gazetarët e Fiksit shkuan edhe në brendësi të Kanionit. Gjatë muajve të verës, për bukuritë natyrore, por edhe për ujërat termalë që ndodhen në brendësi të kanionit, vendi vizitohet nga mijëra turiste. Sipas banorëve, vizitohet nga shqiptarë dhe të huaj. Madje, është edhe destinacion për agjenci turistike.

Në momentin që grupi i Fiks Fare po realizonte xhirime, në kanion mbërrin edhe kryetarja e Bashkisë së Gramshit, Luljeta Dollani. “Do i dërgojmë një peticion për mosvazhdimin e punimeve për hidrocentralin. Ne si bashki kemi për kompetencë të jemi të ftuar. Janë pyetur banorët e zonës, është bërë dëgjesë? Ku u është bërë prezent? Banorët kanë qenë dakord?” thotë ajo.

Ndërkohë, kreu i Këshillit thotë se “largësia që ka diga nga gryka e kanionit është e afërt dhe mund ta mbushë nga prurjet dhe sjell bllokimin e kanionit”. Më tej shton se Këshilli vendosi t’i drejtohet qeverisë për pezullimin e punimeve dhe rregullimin e situatës. Një këshilltar i djathtë pohon se “ka mungesa në vendimmarrje, dëgjesa me banorët është bërë pas miratimit të lejes nga KKT-ja. Këtu kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Këto ndërhyrje po e shkatërrojnë plotësisht këtë resurs. PO humb një qytet i tërë që të fitojë një dorë e vogël” thotë ai.

Në faqen zyrtare të Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Elbasan është publikuar një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis për HEC Strori, në kanionin e Holtës. Dokumenti është bërë nga një ekspert mjedisor privat. Madje, në përmbajtje të kësaj VNM-je ka edhe gafa. Në dy raste shkruhet se ndërtimi është jashtë zonave të mbrojtura. Por, në një rast tjetër, thotë se është brenda zonave të mbrojtura.

“Ne publikojmë të dhënat që vijnë nga Agjencia e Mjedisit në Tiranë. Kjo VNM bëhet nga ekspert dhe studio mjedisore. I kontrakton subjekti vetë. Ne bëjmë vetëm publikimin e këtij raporti. Ky raport më vonë shkon në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe më pas në ministri. AKM kontrollon vetëm materialin, nuk shkohet në vendngjarje” tha drejtori i ARM, Elbasan.

Ndërkohë, në një dalje për publikun, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se do të rishohë të gjitha kontratat e HEC-eve të vegjël, përfshirë edhe HEC-in në kanionin e Holtës.

“Do bashkërendojmë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit që të mos përsëriten situata ligjërisht të pa atakueshme, por faktikisht të papranueshme siç është rasti i fundit i Gramshit. Sëbashku me ministrin Klosi do e kthejmë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi me komunitetin. Dhe do punojmë për përmirësimin e bazës ligjore dhe të procedurave. Na duhet ekuilibër mes pasurisë ekonomike dhe atyre natyrore” tha Balluku.

Ministrja u tregua e rezervuar për rastin e Gramshit. Ajo nuk foli për shkeljet flagrante të firmës private dhe institucioneve. Deri më tani, zyrtarët qendrorë dhe lokalë, ia kanë hedhur fajin njëri tjetrit për këtë masakër.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA