Në 18 Dhjetor të vitit 1997, në Mallakastër mbahet mend një prej masakrave më të rënda ndaj policisë. 3 efektivë do të vriteshin dhe 1 tjetër do të plagosej rëndë. Sot, kjo mbahet mend si Masakra e Visokës, por Top Story do ta risjellë edhe njëherë në vëmendje të publikut, këtë ngjarje të rëndë.
“Mua atje më rri mendja gjithmonë, ka 20 e ca vite, më duket sikur ka ndodhur dje”, thotë Nebi Hyskaj, ish punonjës policie.
Ky është Nebi Hyskaj, i mbijetuari i vetëm në masakrën ku u vranë kolegët e tij Arshi Bregasi, Veledin Pashaj dhe Bujar Hamiti. Fuoristrada e tyre, u sulmua me breshëri të egër nga 3 persona të armatosur me kallashnikovë.
“Ajo ditë mos mos më ardhtë kurrë. Ai iku, u dha si alarm, më ka lënë pjatën në tavolinë. E çova, erdhi për të ngrënë, u dha alarm dhe iku, dhe nuk u kthye më”, tha Hatixhe Bregasi, bashkëshortja e Hashi Bregasit.
“E mbaj mend, është kthyer dy herë nga rruga, është nisur për në punë. Kur e pashë që kthehej i thashë ça harrove? -Jo jo tha hiç dhe iku. Janë disa parandjenja, nuk më zinte gjymi, një ëndërr e tmerrshme sikur donim të më merrnin vajzën”, tha Arta Pashaj, bashkshortja e Veledin Pashajt.
“Vetëm më janë fiksuar shumë njerëz, njerëz të moshuar pleq, shtëpija plot, njerëz që qanin, bërtisnin”, tha Fjorida Pashaj, vajza e Valedin Pashajt.
“Ishte i vendosur kishte dëshirë të ecte përpara, nuk kishte frikë, këto ishin karakteristikë e Veledinit”, tha Arta Pashaj, bashkshortja e Veledin Pashajt.
“Ai ishte shumë i apasionuar shumë pas punes”, tha Hatixhe Bregasi, bashkëshortja e Hashi Bregasit.
Për herë të parë, Top Story sjell përmes dëshmive ekskluzive me protagonistët e ngjarjes, detaje të pathëna lidhur me këtë masakër, e cila mbart ende mjaft mister.
“Në ato kohë komisariati i policisë kishte një dinamikë jashtëzakonisht të madhe. Kishim informacion nga ndërmarrja e naftës që kishte vjedhje me bote nëpër puset e naftës dhe vendosëm të organizojmë një kontroll rutinë”, tha Ylli Ymeraj, ish – shef Komisariati Mallakastër.
Krimi kishte plasur sheshit në atë kohë. Paralelisht me autobotet e naftës, vjen informacioni nga salla operative për një ngjarje akoma edhe më të rëndë.
“Në të njëjtën kohë marr informacion se një vajzë ishte rrëmbyer dhe po sillej në drejtim të Ballshit. Unë kohë që të organizoja postbllok nuk kisha mundësi por shkoj në postbllokun e Qafës së Kashit dhe u jap detyrë”, tha Ylli Ymeraj, ish – shef Komisariati Mallakastër.
Në këtë moment, grupi i gatshëm i përbërë nga 4 punonjës policie, nis patrulllimin drejt aksit Ballsh-Fier. Nga pas, i shoqëronte një tjetër makinë, ku brenda ishte shefi i komisariatit.
“Një officer krimesh njofton në radio se është një benz në anë të rrugës i ndaluar, benz 2400 me targa të mbuluara me baltë dhe kavo përpara. Kur nisem që ktej, grupi i gatshëm para, ne pas. Afër Dukasit takohem me oficerin që kishte pasur nipin sëmurë në Fier. Grupi i gatshëm ishte shkëputur nga ne 150 metra”, tha Ylli Ymeraj, ish – shef Komisariati Mallakastër.
Katër efektivët që ndodheshin në mjetin tip fuoristradë, vijojnë patrullimin sipas planit, por, të shkëputur tashmë nga mjeti ku ndodhej shefi i komisariatit.
“Makina ishte pa asnjë lloj sinjalizimi nga policia”, tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
Nebiu kujton pas 21 vitesh se kishin të dhëna për pritën, por informacionet ishin të gabuara.
“Na thonë që kemi informacion që kanë dalë në Visokë ca person, po grabisin mjete, janë në filan vend, është një lokal aty, është një urë aty, 200-300 metër nga këtu. Nisemi ne, kishim plan të kalonim që këtej të shikonim se çfarë bëhej andej”, -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
“I vetmi informacion ishte ky që u dha nga oficeri i krimeve që një benz me targa me baltë dhe kavo, nuk verifikuam dot se prita ishte bërë më para, nuk verifikuam se kujt ishte benzi”, tha Ylli Ymeraj, ish shef komisariati, Mallakastër.
Mungesa e informacionit të saktë do të rezultonte fatale duke i kapur policët në befasi. Rruga pritet në mes nga tre persona të armatosur që dalin para mjetit të grupit të gatshëm.
“Unë me një kolegun tim, dalim nga makina, i themi jemi policia. Ata ndenjën pak dhe filluan të qëllonin me automatik, hapën zjarr.Ndjej goditje që mu thye këmba, mora goditje këtej, edhe rashë në tokë, Rashë në tokë e nuk pashë gjë për këta që ishin në makinë”, -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
Shoferi Arshi Bregasi dhe Veledin Pashaj ndërrojnë jetë në vend ndërkohë, Bujar Hamiti dhe Nebi Hyskaj u plagosën. Sot, i mbijetuari i vetëm, Nebiu, kujton se iu përgjigjën të shtënave të bandës me zjarr duke plagosur madje njërin prej tyre.
“Njëri nga ata ishte plagosur në rrugë e thotë mos qëlloni se jemi vëllezërit tuaj. Kur u futa te guri atje, dëgjoj një që thotë keni një atje, ik vrije. Unë skisha asnjë lloj arme, automatiku ishte bllokuar. -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
Të parët që mbërrijnë në vendngjarje janë shefi i komisariatit me 3 policët që e shoqëronin, pasi ata ishin rreth 150 metër distancë me mjetin e grupit të gatshëm.
“Ka pasur 4 breshëri në të njëjtën kohë, një polic na thotë shef na vranë.Atëherë ne që ishim 150 metër prapa, u hapëm në formacion luftimi, 4 veta që ishim. Dy ishin të vdekur dy të plagosur, Kontrolluam territorin se mos na sulmonin dhe ne nuk konstatuam gjë”, tha Ylli Ymeraj, ish shef komisariati, Mallakastër.
“Na marin ne, më marin mua me Bujarin, na çojnë në Ballsh, nga atje në Fier, në Tiranë. Bujarin e marrin për ta çuar në Greqi. Në Kakavijë, vdes në helikopter”, -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
Sipas dëshmive të sigurara nga Top Story, autorët e krimit ishin 3 persona, të cilët qëndronin krah për krah me njëri tjetrin, duke hapur zjarr pa pushim. Ndërkohë, një person i katërt qëndronte në distancë si sinjalizues për grupin kriminel.
“Pas një ore e gjysmë që ishim atje dhe skishte ndërlidhje, në drejtimin tim vjen një benz 2400, i jap shenjë por nuk ndalon dhe unë në atë moment hap zjarr. Mendoj se do ta kem goditur në portobagazh, por ai u largua”, tha Ylli Ymeraj, ish shef komisariati, Mallakastër.
Zyrtarisht, u tha se autorët ngatërruan mjetin e policisë me një mjet me shuma monetare që vinte nga Gjirokastra. Por, ish-shefi i komisariatit, zbulon për Top Story detaje të forta, për të cilat askush nuk ka folur kurrë për 21 vite me radhë.
“Marr vesh nga burime konfidenciale që këta kriminelë bashkë me disa policie kanë qenë duke ngrënë. Janë larguar nga lokali 10-15 minuta para se ne të venim për kontroll. Vrasja e policëve, nuk e them dot saktë për motivet, por di të the që ka pasur dorë nga brenda policisë. Nuk jam I binudr për grabitje parash që do vinte nga Gjirokastra…”, tha Ylli Ymeraj, ish shef komisariati, Mallakastër.
Pra, policë që kishin ndihmuar kriminelët për të vrarë policët. Një ngjarje e tmerrshme.
Rreth 8 orë pas ngjarjes policia gjen të plagosur në një parcelë aty pranë, njërin prej autorëve të krimit. Ai zbulon edhe bashkëpunëtorët. Në pranga bien Gëzim Çuko, Fredi Selimi, Aleksandër Xhelaj dhe Sefedin Shehu. Për 3 të parët, gjykata jep dënim me vdekje, që ishte i fundit i këtij lloji në Shqipërinë postkomuniste dhe mbante firmën e gjyqtarit Artan Laze, i cili sot është eleminuar nga Vettingu. Prokuror i çështjes në atë kohë, ka qenë Ilirian Muho, ish-anëtar i KQZ-së.
Por, dënimi mbetet pezull, njësoj si vendime të tjera të ngjashme dhe në vitin 1999, konvertohet në burgim të përjetshëm. Vetëm shtetasi Sefedin Shehu, i cili ka kryer 10 vite burg, sot është i lirë që prej vitit 2007. Ai është identifikuar si personi që jepte sinjalin me drita për vrasësit.
I mbijetuari i vetëm, Nebiu, sot ndjehet i braktisur, i harruar tërësisht nga shteti.
“Unë kam kaluar në stres, jam shumë I ndjeshëm dhe në trup kam një 3 lloj sëmundjesh nga tresi am krijuar diabetin, tension, teroide, dhe e ndjeje veten shumë të ofenduar, më mirë të kisha vdekur bashkë me këta”, -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
Top Channel