Prokuroria e Tiranës nis hetimet për rastin pas kallzimit të bërë në muajin dhjetor ndaj KRRTRSH-së për shpërdorim detyre, në lidhje me dhënien e lejes së ndërtimit në mënyrë të paligjshme për një ndërtim që po zhvillohet mbrapa Presidencës.
Bëhet fjalë për lejen e ndërtimit të datës 24.10.1998.
Në mars të vitit të kaluar, Top Channel publikonte se përveç cenimit të sigurisë kombëtare, toka ku do ndërtohet pallati ka probleme të rënda pronësie dhe gëzon status të veçantë ligjor, që ndalon ndërtimin.
Top Channel ka mësuar se prona tek parkingu ngjitur me Presidencën është në proces gjyqësor. Ajo është privatizuar me njohje dhe kthim në vitin 1995 tek dy pronarë dhe më pas është shitur disa herë.
Por, 25 familje pretendojnë se vendimi i kthimit ka qenë i manipuluar duke hapur gjyq ndaj pronarëve që e morën në vitin 1995 dhe atyre që e kanë blerë më vonë. Aktualisht çështja është në Gjykatën e Lartë dhe nuk ka një vendim përfundimtar. Por edhe pse çështja është në gjykim, bashkia ka dhënë autorizimin për ndërtim, ndërkohë që qeveria ka miratuar lejen zhvillimore. Banorët e zonës kundërshtojnë projektin.
“Të ndërtohet më mirë një kënd fëmijësh këtu, diçka e tillë. Presidenti nuk ka mbrojtje, kot e mban ushtarin atje. Megjithatë nuk e kemi ne në dorë”, shprehet një qytetare.
“Tani kemi marrë vesh që do të ndërtohet pallati dhe për dy vite këtu është një zonë e pajetueshme. Të gjitha provat dhe faktet ne i kemi dërguar edhe në portalin online që është hapur në emër të Kryeministrit. Ne i kemi dërguar 3 herë dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thotë një tjetër qytetar.
Por, përtej problemeve të rënda me pronësinë, toka tek parkingu ngjitur me Presidencën gëzon status të veçantë mbrojtje sepse është monument kulture.
Në urdhrin e ish-ministrit të Kulturës, Bujar Leskaj, në mars të vitit 2007, që e shpall të gjithë zonën përreth Presidencës, përfshirë klinikën qeveritare, Akademinë e Arteve dhe banesat kolektive 5-katëshe përreth si monumente kulture.
Neni 27 i ligjit për trashëgiminë kulturore thotë shprehimisht: “Monumente kulture të kategorisë së dytë janë ndërtimet me vlera të spikatura, kryesisht në pamjen e tyre të jashtme. Ato ruhen në vëllime dhe në pamjen e tyre të jashtme”.
Më tej, po ky ligj e shpall dëmtimin e monumenteve të kulturës si vepër penale: “Dëmi i shkaktuar në objektet unikale të trashëgimisë kulturore përbën në çdo rast vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit penal”.
Veç problemeve me pronësinë dhe shkeljes së ligjit për trashëgiminë kulturore, ngritja e pallatit tek Presidenca ka alarmuar edhe Bankën e Shqipërisë për shkak se cenon sigurinë kombëtare.
Top Channel