Studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, kryeministri Rama u shpjegoi se programi për infrastrukturën universitare do të bazohet në të njëjtën skemë të koncesioneve, si ajo e rrugës Thumanë-Kashar që u anulua, për të mundësuar financimin.

“Shuma që duhet për këtë projekt, për Universitetin e Elbasanit, do të futet në programin e infrastrukturës universitare, që do të bëhet me partneritet publik-privat. Me të njëjtën skemë si Thumanë-Kashar, por në vend të rrugës atje, do të bëhet programi kombëtar për infrastrukturën e universiteteve”, tha Rama.

Rama tha më tej se është i njëjti model i përdorur për shkollat e kryeqytetit, ndonëse do të përfitojnë edhe universitet dhe konviktet e rretheve.

“Siç po bëhen shkollat në Bashkinë e Tiranës. Ju do të merrni universitetin e ri në dy apo 3 vite kohë, sa do të zgjasë puna, ndërkohë që do të paguhet në 10-12 vite, nuk ka rëndësi, sipas kontratës që do të bëhet me sipërmarrjen”, tha më tej kryeministri.

Për studentët protestues, që kërkojnë më shumë fuqi në vendimmarrjen e botës akademike, kryeministri kishte një këshillë.

“Unë ende pyes veten, përse askush brenda universitetit nuk kërkon rizgjedhje të këshillave studentorë? Kërkojnë ca gjëra, por nuk e kërkon njeri këtë. Mos harroni se nga këshillat studentorë shkohet në Senat. Ato këshilla zgjedhin anëtarët e studentëve në Senat dhe këta të fundit kanë të gjithë aksesin në vendimmarrjen e Senatit”, deklaroi Rama.

Ligji për Arsimin e Lartë nuk anulohet, por Rama është i gatshëm të dëgjojë vërejtje konkrete.

“Më thoni një pikë te ligji për Arsimin e Lartë që pengon diçka në rrugën e arsimit të lartë dhe ejani ta heqim. Mos më thoni kot ligji për Arsimin e Lartë financon privatët… Është e pavërtetë. Nuk ka asnjë qindarkë që të ketë shkuar te privatët, edhe pse unë e kam thënë gjithmonë se, ata që shkojmë e arsimohen në universitetet private nuk i ka bërë lopa, por nëna”, u shpreh kryeministri Rama.

Për sa i përket problemit të korrupsionit mes pedagogëve, Rama kërkoi që denoncimet të bëheshin pranë organeve të drejtësisë, me emra të përveçëm dhe me prova.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA