Mazhoranca socialiste konfirmoi qëndrimin refuzues të shprehur të hënën nga Ulsi Manja ndaj kandidaturës së Bahri Shaqirit, të propozuar nga Presidenti Ilir Meta për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Si kryetar i Komisionit të Ligjeve, Manja deklaroi se kandidatura e Bahri Shaqirit nuk plotëson kriterin kushtetues të eksperiencës në fushën financiare, arsye për të cilën Manja nënvizoi se e shihte të pamundur dritën jeshile për këtë propozim të Presidentit.
Një ditë më pas, ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, pohoi se qëndrimi i kreut të Ligjeve nuk ishte aspak personal: “Opinioni i zotit Manja ështe edhe në kuadër të funksionit të tij si kryetar i Komisionit, ne kemi besim te gjykimi i z. Manja, jo më kot i është besuar ai pozicion. Ne do t’i shqyrtojme kandidaturat dhe pastaj do të veprojmë vetëm sipas ligjit. Në rastin konkret z. Manja ka përmendur faktin se ligji përcakton që kandidati për kryetar të KLSH duhet të ketë eksperiencë financiare… që si duket nuk është parashikuar nga Presidenti kur ka sjellë propozimin shumë të nderuar të z. Shaqiri. Nuk kemi asgjë me të përsonalisht”.
Kandidatura e Bahri Shaqirit është e dyta që Presidenti i dërgon Parlamentit, pas rrëzimit nga ana e mazhorancës dhjetorin e kaluar të Vitore Tushës, e cila ishte propozimi i parë i Kreut të Shtetit. Presidenti shpjegonte se këshilltari i tij aktual, Bahri Shaqiri, ka të gjithë eksperiencën e nevojshme për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, por shumica socialiste duket qartë se mendon ndryshe.
Top Channel