Plot 22 gjyqtarë, nga Shkalla e Parë dhe nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e GJKKO-së, që është Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Nga Shkalla e Parë dëshirojnë të jenë pjesë e krijesës më të re të Reformës në Drejtësi të gjithë gjyqtarët, ndërsa nga Apeli janë ende duke u menduar 3 gjyqtarë.
Nëse për SPAK-un, emrat e prokurorëve do të ngelen mister derisa të vendosë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për gjykatën që do të gjykojë zyrtarët e korruptuar, emrat nuk janë aspak surprizë.
Reforma në Drejtësi jep garanci për gjyqtarët aktualë të Krimeve të Rënda, në dallim nga prokurorët, duke i shmangur nga gara për në Gjykatën e posaçme Antikorrupsion.
Për gjyqtarët e Krimeve të Rënda parashikohet vetëm dhënia e pëlqimit mbi kufizimin e privatësisë. Kjo pikë e ligjit i ka vendosur në kushte komode gjyqtarët aktualë të Krimeve të Rënda, të cilët kanë firmosur vetëm formularin ku japin japin leje për t’u përgjuar ata dhe familjarët e tyre, gjë që do të thotë se, automatikisht, ata caktohen në detyrë në gjykatën antikorrupsion, pa pritur rezultatet e vettingut.
Por ndryshe nga gjyqtarët, prokurorët e Krimeve të Rënda vazhdojnë të jenë të stepur nëse do të jenë apo jo pjesë e SPAK-ut, thënë ndryshe Prokurorisë së posaçme që do të hetojë zyrtarët më të lartë për korrupsion. Megjithëse ka zëra se, edhe prokurorët e Krimeve të Rënda do të dorëzojnë kandidaturat e tyre për në SPAK, deri më tani janë vetëm dy kandidatë, prokurorët Klodian Braho dhe Besnik Muçi, që janë pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Në kushtet kur prokurorët kanë afat deri më 7 shkurt, që të paraqesin kandidaturat për në SPAK, e kur numri i pretendentëve vijon të jetë i pakët, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përsëritur thirrjen për prokurorët. Një thirrje që më herët u dha edhe nga ndërkombëtarët, por që ende nuk ka mbërritur në veshët e njerëzve që do të hetojnë të fuqishmit.
Top Channel