Të shtunën, Partia Demokratike zgjodhi organet e saj më të larta drejtuese, Kryesinë e re dhe drejtuesit e Sekretariatëve. Kryesia përbëhet nga 15 anëtarë, disa prej të cilëve emra të rinj, duke lënë shumë të tjerë të pakënaqur.
Zhvillimet e fundit në PD, por edhe aksioni opozitar në vijim kanë qenë tema e debatit në emisionin “Open” të Eni Vasilit këtë të hënë në Top Channel.
Të ftuarit e kësaj mbrëmjeje ishin Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Çlirim Gjata dhe Besart Kadia.
I pyetur nëse dorëheqja e tij ishte akt pakënaqësie ndaj rezultatit të zgjedhjeve brenda partisë, Salianji tha se jo.
“Dua të uroj një punë të mbarë për të gjithë ekipin e ri të PD-së. Dorëheqja ime ka qenë e menduar dhe vullnetare, duke pasur parasysh përgjegjësitë e mia për çfarë nuk ka funksionuar gjatë kohës që unë kam pasur aktivizëm. Kam marrë këtë vendim për një pozicion shumë të rëndësishëm, e besoj se ky duhet të jetë standardi që duhet vendosur nga tani e në vazhdim në PD. Numërimi më nxori humbës, kështu që unë do të përpiqem të takoj sa më shumë demokratë, për të bërë edhe më mirë punën e opozitarit ndaj qeverisë. Por, kur nuk merr një rezultat në kohën kur je në një garë të caktuar, besoj se hapi i radhës është dorëheqja”, tha Ervin Salianji, deputet i thjeshtë i demokratëve tashmë.
Sa i përket votimit dhe numërimit, ai thotë se kanë qenë korrekt, pasi ishin shumë pak vota për të lënë hapësira për gabime. “Duke njohur rezultatin bëra edhe dorëheqjen”, tha më tej Salianji.
“Dua të jap një mesazh për të gjithë demokratët, se opozitarizmi është një mision dhe do të përpiqem të bëj më mirë gjithçka mund të kem gabuar”, deklaroi më tej Salianji.
Top Channel