Edhe këtë vit familjarët e Ziver Veizit, Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës u mblodhën në Kryeministri.
Ndryshe nga herët e kaluara, 8 vjetori i 21 Janarit e gjeti Edi Ramën të heshtur. Asnjë fjalim apo mesazh publik, vetëm pamje të shpërndara prej tij.
Jashtë kishte kush kërkonte vëmendjen e medias.
Në orën 11:00 kreu i Qeverisë doli nga godina së bashku me familjarët e viktimave. Heshtjen e homazheve e theu një qytetar me thirrjet kundër kryeministrit, arsye për të cilën edhe u shoqërua në polici.
Edhe këtë vit për viktimat pati lule, ndërsa për familjarët përsëri mungoi drejtësia. Ana Veizi nuk e ka të lehtë të qëndrojë pranë vendit ku 8 vite më parë humbi babain.
Mark Nika, xhaxhai i Aleksit pohon se nuk e kishte të lehtë të përsëriste edhe njëherë të njëjtën skenë, por thotë se shpresa e tij e fundit quhet SPAK: “Më kuptoni se sa të vështirë e patëm për të ardhur, se është e njëjta skenë, për të përkujtuar ata, kur ne nuk kemi realizuar premtimin që kishim ndaj gjakut të Aleksit dhe shokëve të tij. Drejtësia ne na preu në besë dhe erdhëm sot për shkak se shohim në horizont një përpjekje të shtetit për ta rifilluar hetimin e çështjes së Aleksit dhe shokëve të tij. Shpresa jonë e fundit është krijimi i SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit. Fajtorët, urdhëruesit dhe vrasësit të shkojnë para drejtësisë”.
Me ndryshimet e fundit në ligjin për Statusin e Dëshmorit të Atdheut, pritet të përfitojnë edhe 4 viktimat e 21 janarit. Formulimi i ri, që iu shtua ligjit, njeh si dëshmorë të Atdheut edhe ata që kanë humbur jetën në protesta paqësore. Ligji i miratuar në dhjetor u dekretua nga Presidenti Meta këtë janar dhe pritet të hyjë në fuqi brenda pak ditësh.
Top Channel