Një nga akset më të rëndësishme të kryeqytetit, që ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, është edhe rruga e Kavajës.
Bashkia ka nisur një investim për ndërtimin e trotuareve të reja, në përfundim të rehabilitimit të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve dhe ndërtimit të korsive të dedikuara për biçikletat.
Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Veliaj theksoi se rikonstruksioni i plotë i trotuareve do t’iu japë mundësi qytetarëve që të lirojnë aksin e dedikuar për biçikletat.
“Ndërhyrja kryesore ishte aksi qendror për biçikletat. Është një qytet që po i përqafon biçikletat, shumë të rinj po hipin mbi dyrrotakë dhe kjo është e ardhmja. Sheshi ‘Skënderbej’, Kalaja e Tiranës, Pazari i Ri, Liqeni, janë të gjitha objekte ikonë, por neve na duhet që lëvizshmëria jonë të jetë një pedonale cilësore, ndaj dhe jam shumë i lumtur sot që në rrugën e Kavajës po bëjmë një shtrim të të gjithë trotuareve. Do t’u kërkoj banorëve që, me të mbaruar investimin e trotuareve cilësore te rruga e Kavajës, të lirohet aksi qendror ekskluzivisht për biçikleta, e pastaj të gjithë këmbësorët të përdorin dy trotuaret anësorë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi se ky është një investim që do t’i rezistojë kohës, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka kryer të gjitha punimet nëntokësore që lidhen me rrjetin e ujësjellësit dhe telekomunikacionit.
Sistemimi i trotuareve po shoqërohet edhe me lirimin nga pengesat dhe ndërtimin e rampave për personat me aftësi të kufizuara (PAK).
“Nuk është prekur që në vitet ’50-’60, kështu që jam shumë i lumtur që i kemi hyrë me themel, fillimisht me tubacionet e Ujësjellës-Kanalizimeve. Kanë qenë të gizës, të kohës së ‘xhaxhit’, shumë të amortizuara dhe të tejkaluara. Por, tani që rrjeti i ujësjellësit është vendosur, jam shumë i kënaqur që po vazhdojmë edhe me hapësirat pedonale në të dyja trotuaret”, deklaroi ai.
Veliaj nënvizoi se edhe viti 2019 do të jetë sërish një vit aksioni, për të bërë një qytet të aksesueshëm për të gjithë. Kryebashkiaku bëri të ditur se, ashtu sikurse tek “Unaza”, edhe në rrugën e Kavajës do të ketë korsi të dedikuara për transportin publik.
Top Channel