Një dyqan argjendarie është vjedhur mëngjesin e kësaj të diele në qendër të qytetit të Lushnjes.
Sipas pronarëve të dyqanit, vjedhja është kryer nga 4 persona të maskuar, rreth orës 5 të mëngjesit.
Fillimisht hajdutët kanë hapur me levë hekuri qepenin, e më pas kanë thyer xhamat e dyqanit dhe të vitrinave.
Ata kanë arritur të marrin të gjitha bizhuteritë e ekspozuara nëpër vitrina, si edhe disa orë të shtrenjta. Vlera e materialeve të vjedhura arrin shumën e 10 milionë lekëve.
Policia ka sekuestruar kamerat e dyqanit, nga ku mund të zbulohen autorët. E gjithë skema e vjedhjes është filmuar dhe ka ndodhur në momentin e ndërrimit të turnit të patrullave policore.
Një furgon i policisë qëndron i parkuar gjithmonë në këtë zonë, por me sa duket, hajdutët kanë ruajtur momentin e lëvizjes së tyre dhe kanë vepruar.
Top Channel