Monitorimi në lëvizje me kamera i akseve nga Policia Rrugore po nxjerr në pah një nivel shumë të ulët të njohjes dhe respektimit të rregullave nga drejtuesit e automjeteve.
Në harkun kohor të një muaji, 560 shoferëve u është dërguar gjoba me postë në adresën e banimit, e argumentuar edhe me foto.
Shkeljet kryesore të evidentuara janë parakalimi i gabuar, manovrat e rrezikshme në autostradë, shpejtësia tej normave të lejuara, përdorimi abuziv i korsive të autobusëve, si dhe mosrespektimi i semaforëve dhe vijave të bardha.
Një tjetër shkelje, nga më të rrezikshmet, është edhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit. Raste të tilla janë konstatuar edhe në autostradë, ku shpejtësia e lëvizjes është e lartë. Për këtë fenomen, policia ka propozuar 10-fishimin e gjobës, pasi nga analizat rezulton se, 6 në 8 aksidente ndodhin për shkak të celularit.
Ndërkohë, drejtuesit e automjeteve që nuk u përkon adresa aktuale e banimit me atë në lejen e qarkullimit mund të kontrollojnë “online” në faqen e Policisë së Shtetit nëse janë gjobitur pa u ndaluar në rrugë.
Nga ana tjetër, Policia e Tiranës njoftoi se në një ditë ka gjobitur 478 mjete për parkim të gabuar, në rresht të dytë, në trotuar, apo korsi të dedikuara.
Top Channel