Studentët kanë filluar procesin e dorëzimit të dokumentacioneve të nevojshme për përfitimin e bursës në fakultete. Kamera e Top Channel ndoqi rastin e Arjanës, një studente ekselente, e cila ka pyetje drejtuar rubrikës së studentëve në platformën e bashkëqeverisjes.
Por cila është pyetja?
“Përshëndetje, në një dalje publike me gazetarët në fundvit kryeministri ka thënë që studentët ekselentë me mesatare 9-10 do të përfitojnë 1.200 dollarë në vit. Për sa muaj do të jetë përfitimi i bursës për këtë vit akademik 2018-2019?”, shkruan studentja në tekstin drejtuar platformës.
Pas shkrimit të tekstit mbi paqartësinë e studentes të Universitetit të Tiranës, plotësohen të dhënat si emër, mbiemër, numri i telefonit dhe adresa e “e-mail”-it.
Ajo studion në Fakultetin e Ekonomisë. E dërgojmë dhe të shohim se kur do të kthehet përgjigjja, e si do të jetë ajo në lidhje me pyetjen e studentes.
Përgjigjja sigurisht nuk merret në kohë reale, me studentët që duhet të presin e shumta 24 orë. Ndërkohë që ajo për studenten e Ekonomikut erdhi pas disa orësh dhe binte në kundërshtim me fjalën e kryeministrit Rama për motivimin e studentëve ekselentë.
“Për periudhën prej 9 muajsh, ajo do të depozitohet në llogarinë bankare të studentit. Çdo efekt financiar nis pas hyrjes në fuqi të aktit ligjor përkatës”.
“Pra, për këtë vit bursa do të përfitohet nga muaji janar deri në përfundim të vitit akademik. Pra, ne nuk do të na jepet bursë për muajt tetor-nëntor-dhjetor. Unë nuk jam një studente që marr bursë për ndihmë ekonomike, por që pres të vlerësohem për atë që kam bërë gjatë këtyre viteve”, tha studentja.
Top Channel