Depozitat e naftës që ndodhen në Qafën e Kashit në Mallakastër, të cilat janë pronë e dy kompanive, Albpetrol dhe Anoil, derdhin mbetjet teknologjike në gjendje të lirë. Pas procesit të dekantimit, ujërat me mbetje kimike derdhën në Lumin Vjosë.

Ujërat me mbetjet e naftës bruto burojnë ngado dhe derdhen si përrua pa asnjë pengesë. Stacioni i pompimit që duhet t’i grumbullonte këto rrjedhje dhe i rikthente në vendburim nuk punon prej më shume se 20 vitesh.

Specialistët thonë se Vjosa, që vlerësohet si lumi i vetëm i egër në Europë, shumë shpejt do të ketë fatin e lumit Gjanica ku prej vitesh nuk ka asnjë gjallesë si pasojë e derdhjes pa kriter të mbetjeve hidrokarbure.

I alarmuar për këtë katastrofë ekologjike është edhe kryebashkiaku i Mallakastrës, i cili kërkon frenimin e menjëhershëm të kësaj masakre.

Depozitat e Kashit kryejnë pjesën më të madhe të dekantimit të naftës bruto në zonën e Mallakastrës.

Përrenjtë me mbetje hidrokarbure në zonë janë një rrezik serioz për jetën e mijëra qytetarëve, pasi ndodhen shumë pranë tubacioneve të ujësjellësit nga ku furnizohet me ujë të pijshëm i gjithë qyteti i Ballshit.

Shpërndarja në natyrë e mbetjeve hidrokarbure po ashtu përbën rrezik dhe për zjarre në depozitat e naftës, ashtu siç ndodhi të enjten në pusin e fundit të ndalur në Zharrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA