Gjykata e Tiranës la të lirë 9 nga 12 personat e ndaluar, për skemën mashtuese me kredidimin e TVSH-së, me një dëm për buxhetin e shtetit në vlerën e 18 milionë eurove.
Nëntë personat për të cilët u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje” rezultojnë të paarsimuar, ose me pak klasë shkollë dhe me profesione të lira si kamarier, lavazhier apo punëtor krahu dhe hamall.
Ata kanë pranuar para organit të akuzës së kanë qenë thjesht të punësuar me rroge mujore dhe kanë dhënë kartat e tyre të identitetit, që më pas janë përdorur për t’i përshirë në skemën mashtuese.
Për 3 shtetas të tjerë, gjykata caktoi masën “arrest me burg” me afat 30-ditor, ndërsa 13 persona vijojnë të jenë në kërkim, mes tyre edhe dy biznesmenë që dyshohet se janë organizatorët e kësaj skeme mashtruese.
Sipas hetimit tatimor, disa prej bizneseve të përfshira rezultojnë subjekte VIP, ndërkohë që po hetohen edhe persona të tjerë.
“Janë gjithashtu nën hetim disa zyra kontabiliteti, zyra noterie, punonjës të bankave të nivelit të dytë, etj., të cilët dyshohen se në bashkëpunim kanë realizuar të gjithë procesin, duke nisur që nga krijimi i këtyre subjekteve fiktive, realizimi i lidhjes së këtyre subjekteve me palët shkarkuese dhe ato përfituese, nëpërmjet faturimeve e deri te transaksionet bankare”, tha Adrian Shehu, drejtor i Hetimit Tatimor.
Për të realizuar këtë skemë mashtrimi finaciar, subjektet në fjalë kryenin blerje fiktive nga kompani që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve ushqimore. Më pas, TVSH-në e mbledhur nga këto blerje e kanë shitur po në mënyrë fiktive te shoqëri të treta që operojnë në fushën e ndërtimit. Këto të fundit, me këto blerje ulnin fashën e pagesës mujore të TVSH-së, duke rritur shpenzimet dhe duke ulur tatimfitimin.
Top Channel