Fiks Fare/ I skadon leja e ndërtimit, ndërtuesi kërcënon banorët që ankohen: Një milionë lekë gjobë për shqetësimin

18/01/2019 20:46

“Fiks Fare” solli sot ankesën e banorëve të një pallati të ndërtuar në vitin 1958, në rrugën “Dervish Hatixheja”, në Tiranë. Ata ankohen për ndërtimin e një pallati të ri, shumë pranë pallatit të tyre, vetëm 1 metër larg.

Pallati i ri që po ndërtohet ka zënë edhe rrugën e vjetër hyrëse në këtë lagje. Banorët duhet të sillen rrethe përqark pallatit për të hyrë në shtëpitë e tyre. Kurse në raste fatkeqësie si psh rënie zjarri, zjarrfikësja është e pamundur të hyjë.

Banorët tregojnë se janë ankuar gjithandej , por u kanë dhënë përgjigje se firma ka marre leje që në vitin 2013 në bashkinë e Tiranës, kohë kur ishte Lulzim Basha kryetar i kësaj bashkie. Banorët nuk e kanë lënë me kaq, por i janë drejtuar edhe Gjykatës së Shkallës së Parë me një kërkesë padi e cila është rrëzuar , por që proceset gjyqësore ende vazhdojnë.

Një banore shprehet për Fiks Fare se jeton si në bodrum pasi dritaret i janë zënë dhe nuk hynë fare drita e diellit. Kur vetë punonjësit e njësisë administrative ku banorët janë ankuar kanë parë nga afër situatën, u kanë thënë që t’i lënë shtëpitë e të jetojnë në banesat sociale .

Më e bukura ndodh kur banorët pohojnë se firma u ka thënë se do i hedhë në gjyq për dëmshpërblim , pasi këta të fundit e kanë shqetësuar dhe penguar firmën për punimet. Si dëmshpërblim firma ndërtuese kërkon nga 1 milion lekë të vjetra për banorë.

Gjithashtu gazetarët kërkuan edhe një informacion nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ,ku në përgjigjen e IMT-së theksohet se ky pallat po kryen punime pa leje, pasi i ka mbaruar afati i lejes së ndërtimit dhe ka kërkuar pezullimin e punimeve.

Por, edhe pse jashtë afatit të lejes, firma vazhdon punimet…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA