25 persona, që të gjithë ish-policë dhe doganierë, kanë përfunduar të pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda nën dyshimet se kanë ndihmuar trafikun e të paktën 8 tonëve drogë me destinacion Italinë.
Dy prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara dorëzuan në gjykatë si të pandehur që nga ish-shefi i stacionit policor Durrës, Julian Doraci, 4 agjentë antidrogë në këtë port, Medi Demiri, Fatmir Plaku, Agron Kapllani e Mexhit Xhixha, deri tek kontrollorë e përgjegjës turni.
Droga e zbuluar në Itali në shkurt 2017 në Portin e Ankonës kishte kaluar lehtësisht në Portin e Durrësit pas deklarimit të shoferit maqedonas se po transportonte fletë polesteroli.
Prokuroria shqiptare thotë se kamioni ka hyrë në Shqipëri në 4 shkurt 2017 përmes Qafë-Thanës dhe se autoritetet atje e kishin kontrolluar. Por, ndërsa dalja e automjetit duhet të ishte Hani i Hotit siç ishte deklaruar, në momentin e fundit një agjent doganor ka firmosur ndryshimin e destinacionit duke shënuar Portin e Durrësit.
Kamerat e sigurisë në pikën kufitare tregojnë shkeljet e gjithë punonjësve që ishin në turn ashtu siç kuptohet se të njëjtat shkelje kanë vijuar edhe në Portin e Durrësit pasi asnjëri nga punonjësit e policisë nuk ka ushtruar kontroll në kamion.
Shkeljet kanë vijuar edhe nga një punonjës tjetër policie, i cili duhet të kryente daljen e kamionit në sistemin TIMS, por ai e ka lejuar dhe e ka verifikuar se si ky mjet kishte hyrë në Shqipëri.
Nga hetimet rezulton se drejtuesi i mjetit me drogë, Zoran Stanojoski nuk është regjistruar fare nga Policia Kufitare kur hyri në Shqipëri. Të njëjtat shkelje janë kryer edhe nga punonjësit e doganës, thotë prokuroria, edhe pse në dokumente dallohej qartë devijimi i udhëtimit nga Hani i Hotit përmes Portit të Durrësit.
Episodi i dytë ka sërish lidhje me trafikun e dy tonëve drogë që ka dalë nga Shqipëria në 19 mars 2017 . Ngarkesa ishte fshehur në pllakat e gipsit dhe as efektivët e policisë, as agjentët doganorë nuk kanë kryer kontrollet e domosdoshme.
Top Channel