Në një dalje për mediet nga selia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetari Klement Zguri deklaroi se në zgjedhjet lokale të qershorit të këtij viti nuk do të lejohet më fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit.
“Në proceset e mëparshme zgjedhore, jo vetëm vëzhguesit, por edhe KQZ ka konstatuar se në disa bashki të vendit është përhapur fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit, të mbështetësve të atyre që kandidojnë për kryetarë bashkie, me qëllim ndikimin e paligjshëm mbi rezultatin e votimit nëpërmjet votave të këtyre votuesve artificialë”, tha Zguri.
Duke theksuar se ndryshimi artificial i vendbanimit përbën “shpërdorim të pastër detyre”, kreu i KQZ-së tha se ai ka edhe pasoja të rënda mbi sistemin demokratik, “sepse cënon rëndë raportin e zgjedhësve me pushtetin e zgjedhur”.
“KQZ-ja do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të Gjendjes Civile, kurdoherë që të vihet përballë këtyre fakteve, sapo ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor”, deklaroi Zguri.
Kryetari i KQZ-së ftoi më tej udhëheqësit e shumicës dhe opozitës që të deklarohen publikisht kundër këtij fenomeni, me qëllim që t’i heqin çdo mbështetje politike atij.
Zgjedhjet e datës 30 qershor janë ushtrim shumë i rëndësishëm demokracie, e gjithashtu edhe një gur prove për Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Top Channel