Bashkë me rikonstruksionin e konvikteve të vajzave, në “Qytetin Studenti” vijon puna edhe për përmirësimin e kushteve në godinat ku jetojnë djemtë. Qendrat studentore kanë pak kohë që kanë kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës, e puna për rikonstruksionin e tyre po vijon me ritme të shpejta.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet për përmirësimin e kushteve në godinën Nr. 6, ku qeveria dhe bashkia po investojnë falë ndihmës së donatorëve, ndërsa zhvilloi edhe një bashkëbisedim me studentët.
“Jam jashtëzakonisht entuziast, që edhe me konviktet e djemve po ecim siç kemi nisur me konviktet e vajzave. Pata një mundësi fantastike të takoj studentët, që po e shikojnë vet dhe në njëfarë mënyre janë kthyer në inspektorë pune të të gjitha rregullimeve që po bëhen në konvikte. Ky është një konvikt, të cilit i kemi hyrë me themel, falë bashkëpunimit me Agjencinë Turke të Zhvillimit TIKA, pas kërkesës së kryeministrit për të pasur një ndihmë të menjëhershme në fillim të vitit”, tha Veliaj.
Për shkak se studentët jetojnë ende në konvikte, po punohet me mjediset e përbashkëta, dushet, nyjet sanitare dhe fasadat, ndërsa ndërhyrja nëpër dhoma do bëhet gjatë muajve të verës, kur studentët të kthehen në shtëpitë e tyre.
Bashkia e Tiranës po zbaton një skemë të ngjashme si me kopshtet e çerdhet, këtë herë “Adopto një konvikt”, për t’u krijuar studentëve kushte më të mira. Për këtë arsye, Veliaj u bëri thirrje kompanive që veprojnë në Tiranë dhe kanë mundësi financiare, t’i bashkohen nismës.
Kryebashkiaku Veliaj tha se institucioni që ai drejton është i gjithi në këmbë për t’iu përgjigjur kësaj sfide të re, ndërsa u bëri thirrje studentëve që t’i kthehen mësimit, për t’i hapur rrugë gjatë verës vijimit të punës me kapacitet të plotë, në mënyrë që viti i ri akademik t’i gjejë me mjedise komode dhe të denja për ta, teksa nënvizoi se të vetmit që humbasin nga vonesat janë vet studentët.
“Shpresoj shumë që studentët të reflektojnë në ato pak fakultete ku nuk po zhvillohet mësim, për të vetmen arsye se, na lipset që shkolla të mbarojë në korrik. Nëse mbaron shkolla në korrik, punojmë në gusht e shtator edhe nëpër dhoma. Në të kundërt, të vetmit që humbasin nga vonesa dhe shtyrja e mësimit nuk janë partitë politike, që duan t’i përdorin, por vetëm studentët që do të rikthehen në të njëjtat dhoma, siç i lanë”, theksoi Veliaj.
Top Channel