Duke folur në emër të qeverisë, drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se nuk gjen argumente ligjore për kthimin e “ligjit për Kadastrën” nga presidenti Ilir Meta. Ai shtoi se dekreti për rishqyrtimin e ligjit do të vonojë zgjidhjen e problematikave me çështjen e pronësisë, por gjithsesi paralajmëroi rrëzimin e tij nga mazhoranca.

“Nëse për shumë ligje të tjera që presidenti ka kthyer, vonesa penalizon grupe të veçanta njerëzish, kthimi i ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar, që ka një çerekshekulli që gjen belanë me pronën”, tha Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t.

Lame mori si shembull godinat e institucioneve shtetërore, duken nisur ka Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi, që janë pa certifikatë pronësie. Sipas tij, ato nuk janë regjistruar për shkak të mosfunksionimit të ligjit të mëparshëm dhe problemeve me përgjegjësitë e agjencive të ndryshme shtetërore, që merren me çëshjet e pronësisë.

“Sot është 17 janari i 551-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. I atij Skënderbeu që ende sot e ka pa certifikatë pronësie Mauzoleun në Lezhë, gjë që ka bërë që e gjithë ajo zonë të rrethohet, sulmohet e copëtohet me lloj-lloj pronarësh, të qenë e të paqenë. Garantoj zotin president se, një ditë pas fillimit nga puna të Agjencisë së re të Kadastrës, punonjësit e saj do të paraqiten gjithë respekt në derën e Presidencës së Republikës, në Tiranë, dhe në Portën e Mauzoleut të Skënderbeut, në Lezhë, për të filluar procedurat e lëshimit të certifikatave të pronësisë për to, ashtu siç do të vijojnë më tej me zgjidhjen e problemeve të certifikimit të pronës për të gjithë pronat e tjera të shqiptarëve të këtij vendi”, tha më tej Lame.

Sipas ligji të ri për Kadastrën do të ketë vetëm një agjenci shtetërore që do të merret me çëshjet e pronësisë, duke bashkuar në një institucion të vetëm ZRPP-të, ALUIZNI-n dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

Por, ai iu kthye për rishqyrtim Parlamentit nga presidenti, me argumentin kryesor se ligji ka mangësi që cënojnë parimin e sigurisë juridike në qarkullimin civil të pasurive të paluajtshme, si dhe standardin kushtetues të të drejtave të fituara. Po ashtu, sipas presidentit rrezikohet mbrojtja e të dhënave personale që administrohen në regjistrin publik dixhital të pasurive të paluajtshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA