Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar është thirrur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Tiranës, për t’u marrë në pyetje mbi tenderin e dyshimtë të “Unazës së re”, që u anulua pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve nga kompania “DH Albania”.
Afrim Qendro po merret aktualisht në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore, për një tender që pasi u anulua dhe u rishpall, nxori në pah edhe diferenca të mëdha çmimesh.
Në tenderin e anuluar, kompania “DH Albania” e fitoi kontratën për ndërtimin e lotit të parë me një çmim prej 2.24 miliardë lekësh, ose rreth 18 milionë euro. Ndërkohë, në tenderin që u zhvillua këtë të hënë, ofertat zbritën ndjeshëm.
Sipas dokumenteve të tenderit, një bashkim kompanish shqiptare ka ofruar ta ndërtojë lotin e parë të “Unazës së re” me çmim 1.77 miliardë lekë, ose 14.1 milionë euro. Pra 3.8 milionë euro më pak sesa tenderi i parë.
Vlera e kursyer në vetëm një lot do të mjaftonte për ndërtimin e një shkolle të re, e nëse do të ishte zhvilluar e njëjta garë edhe në dy lotet e tjera, atëherë taksapaguesve mund t’u kurseheshin deri në 10 milionë euro.
Top Channel