Ndërhyrje në impiantin e Bovillës, Veliaj: Investimi më i madh në ujësjellës në 20 vite

16/01/2019 13:15

Bashkia e Tiranës ka nisur investimin më të madh në 20 vitet e fundit në ujësjellës, për të dyfishuar kapacitetin përpunues dhe filtrues të ujit në impiantin e Bovillës, si dhe për të ndërtuar një linjë të re transmetimi, e cila rrit ndjeshëm furnizimin me ujë për qytetarët, veçanërisht ata që jetojnë në periferi.

Duke e konsideruar këtë si një epokë të re të furnizimit me ujë për Tiranën, kryebashkiaku Veliaj tha se investimi bëhet falë performancës së mirë të UKT-së dhe ndihmës nga BERZH-i.

Veliaj inspektoi punimet që po kryhen për rritjen e kapacitetit filtrues të Bovillës, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla. Ai theksoi se ky investim i përgjigjet zhvillimit demografik që ka pësuar Tirana në afro dy dekada.

“Jam jashtëzakonisht i mahnitur. Është një nga ditët më të ftohta të vitit, megjithatë vlon puna në impiantin e Bovillës. Para 20 vitesh, Tirana kishte gjysmën e popullsisë. Me dyfishimin e popullsisë janë dyfishuar edhe nevojat për ujë. Ndaj po fillojmë dyfishimin e impiantit të Bovillës. Është një ditë historike për Ujësjellës-Kanalizimet, jo vetëm të Tiranës, por të Shqipërisë, sepse 1/3-ta e popullsisë jeton në Tiranë. Ky është ndoshta investimi më i madh pas 20 vitesh për kryeqytetin shqiptar, kur vjen puna te furnizimi me ujë”, tha Veliaj.

Nisja e këtij investimi shenjon për kryebashkiakun e Tiranës nisjen e realizimit të premtimit se Tirana do të ketë 24 orë ujë brenda 5 vitesh.

“Ashtu siç kemi premtuar, kjo shënon edhe nisjen e kronometrit për premtimin tonë të 5 viteve ‘Tirana, ujë 24 orë’. Ka qenë një betejë! Beteja në Këshillin Bashkiak, betejë politike. Faktet janë kokëforta, Tirana ka ende sot ujin më të lirë nga qytetet kryesore në Republikën e Shqipërisë, e megjithatë ne prapë do të vazhdojmë të sigurohemi se administrohet mirë çdo qindarkë, që me këto investime dhe ndihmën që na dha BERZH-i, të besojmë te reforma jonë e ujit, si një nga ujësjellësit që ka performuar më mirë vitin e kaluar”, tha kryebashkiaku.

Investimi do të kryhet në dy faza. Njëra prek rritjen e kapacitetit përpunues të ujit në Bovillë, çfarë krijon mundësinë që UKT-ja të ketë më shumë ujë për të shpërndarë në rrjet. Ndërkohë, faza e dytë parashikon nisjen e punës për shtrimin e një rrjeti të ri të transmetimit të ujit nga Bovilla në qytet, ku përfituesit kryesorë do të jenë kryesisht zonat fundore të Tiranës, si zona e “Astirit” dhe “Unazës së re”.

Veliaj deklaroi se puna në Bovillë synohet të përfundojë brenda verës, ndërsa ajo për linjën e re të dedikuar brenda vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA