Në një deklaratë nga Ministria e Brendshme, të njoftuar paraprakisht edhe nga Kryeministria, ministri Sandër Lleshaj konfirmoi vetëdorëzimin e Klement Balilit, pa dhënë detaje operacionale, teksa dha edhe një mesazh të vendosur për vijimin e luftës ndaj krimit të organizuar.
“Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë e të ndërlikuar për Klement Balilin. Nga sot Policia ka në duart e saj një nga personat e saj më të kërkuar, ndërsa qytetarët marrin një mesazh të rëndësishëm nga policia që duan”, tha ministri Lleshaj.
Policia e Shtetit, sipas tij është në gatishmëri për t’u përballur me këdo, e gatshme dhe e aftë për të kaluar në fazën vendimtare për luftën kundër krimit të organizuar, me aftësi të përmirësuara goditëse.
“Në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, po e ngushtojmë gjithnjë e më shumë mundësinë që kriminelët t’i shpëtojnë policisë. Të gjitha ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin e dinë mirë se mundësia për të shkuar para hekurave të qelisë është shumë e madhe”, tha ministri Lleshaj.
Në fund, Sandër Lleshaj dha edhe një paralajmërim:
“Rruga e vetme për ta është bashkëpunimi me drejtësinë, rrugë tjetër për ta nuk ka. Të gjitha institucionet janë sot të inkurajuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të mundësuar progresin e shpejtë drejt integrimit të vendit në BE”.
I pyetur nga gazetarët e pranishëm nëse ishte vetëdorëzim, apo operacion për arrestimin e tij, ministri Lleshaj konfirmoi se ka qenë arrestim, por nuk mund të jepte detaje operacionale mbi vendin se ku e kishin arrestuar.
Por çfarë sigurie i është ofruar një të kërkuari të këtij niveli, atëherë, që ai të mund të “vetëdorëzohej”, apo të mos bënte rezistencë teksa e arrestonin? Lleshaj hoqi çdo dyshim për këtë, kur tha se i është ofruar siguria e një procesi të drejtë ligjor.
Top Channel