Pas anulimit për shkak të skandalit me kompaninë “Dunwell Haberman”, Autoriteti Rrugor Shqiptar zhvilloi sërish tenderin për lotin e parë të “Unazës së re” të Tiranës.

Top Channel ka mësuar se në garë kanë paraqitur oferta 6 kompani, kryesisht shqiptare. Mes tyre janë “Gjoka Konstruksion”, që ka me koncesion rrugën e Arbrit, kompania “ANK” e përzgjedhur për rrugën Milot-Balldre, si dhe disa kompani të tjera.

Edhe këtë herë, fondi limit për ndërtimin e këtij segmenti ka qenë 2.24 miliardë lekë, ose mbi 18 milionë euro. Burime nga Autoriteti Rrugor Shqiptar thanë se, pas hapjes së ofertave, Komisioni i Vlerësimit do të shqyrtojë dokumentacionin dhe më pas do të shpallë kompaninë fituese.

Kjo është hera e dytë që loti i parë i segmentit të Unazës, nga “Pallati me shigjeta” deri te “Shqiponja”, hidhet në tender. Herën e parë tenderi u shndërrua në skandal, pasi kompania e shpallur fituese “DH Albania” kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit në Delaëare.

Pas shpërthimit të skandalit, Autoriteti Rrugor Shqiptar u detyrua të anulojë tenderin, ndërkohë që çështja është nën hetim nga Prokuroria në Shqipëri, por edhe autoritetet amerikane. Tenderi i unazës së re në segmentin nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi i “Shqiponjës ka qenë objekt akuzash, kryesisht për koston e lartë, rreth 40 milionë euro për një segment me gjatësi totale 2.3 kilometra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA