Të rinjtë që kanë mbaruar studimet e larta në nivelin “Bachelor”, “Master Profesional” ose “Master Shkencor”, të grupmoshës deri në 28 vjeç, patën mundësi që ta nisin karrierën e tyre me një eksperiencë pune tremujore në Bashkinë e Tiranës.
Projekti “Fillo me një ide – Fito një internship” synon që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre analitike dhe kërkimore, përmes konkurrimit me një projektide ose studim në një nga fushat e veprimtarisë të Bashkisë së Tiranës.
Në ceremoninë e certifikimit të 16 të rinjve, në përfundim të “internship”-it, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se shumë prej ideve të propozuara nga ata do të zbatohen në terren.
“Jam shumë i lumtur që patëm një grup fantastik djemsh dhe vajzash që bënë praktikën në Bashkinë e Tiranës. Lajmi i mirë është që disa prej tyre do të fillojnë punë në Bashkinë e Tiranës, por lajmi edhe më i mirë është që disa nga idetë që na erdhën nga të rinjtë e studentët që bënë praktikën këtu, janë përkthyer në buxhet dhe do të kemi ndërhyrje drejtpërdrejt në terren, bazuar mbi këto projekte”, tha ai.
Aplikantët kishin mundësi të përgatisnin dhe të dorëzonin një propozim të plotë teknik dhe financiar të projektit, si dhe të përfundonin studimin gjatë “internship”-it, duke bashkëpunuar nga afër me stafin e bashkisë.
“Disa janë ndërhyrje në infrastrukturë e urbanistikë, të tjera kanë të bëjnë me softëare dhe zhvillim programesh. Kurse disa të tjera kanë të bëjnë me një ndërthurje të punës së infrastrukturës me aplikacione, ose ndërveprime për qytetarët, që u jep atyre më shumë akses në mënyrën sesi funksionon qyteti. Ajo që më pëlqeu më shumë është se, për herë të parë nuk pashë vetëm projekte në infrastrukturë, por edhe në çështjet sociale, kryesisht që kanë të bëjnë me bullizmin, emancipimin, vullnetarizmin”, theksoi Veliaj.
Në përfundim të “internship”-it, 5 prej projekteve dhe studimeve do të zbatohen nga drejtoritë përkatëse, ndërsa disa aplikantë janë në proces konkurrimi për t’u bërë pjesë e stafit të Bashkisë së Tiranës.
Thirrja për “internship”-et e reja në Bashkinë e Tiranës do të hapet sërish pas dy muajsh. Programi i “internship”-it synon të përzgjedhë një numër të caktuar projektidesh dhe studimesh që do të përfshihen në planet vjetore të njësive organizative dhe do të zbatohen prej tyre.
Top Channel