Pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, të enjten, të skandalit të ndodhur në Bashkinë e Matit me dëmshpërblimet e miratuara prej saj, për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 11 gushtit të vitit të kaluar, policia e Dibrës njofton se ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë të 7 shtetasve.
Ata dyshohet se, duke qenë anëtarë të Komisionit të Verifikimit dhe Komisionit të Vlerësimit në Bashkinë e Matit, kanë përzgjedhur në mënyrë selektive qytetarët përfitues për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 2018-s.
Materialet në ngarkim të tyre do t’i referohen Prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërsa “Fiks Fare” denoncoi se në fshatin Barbullej të Matit kanë përfituar dëmshpërblim nga shteti vetëm 6 familje, nga 15 të dëmtuara.
Në listën e hartuar nga Bashkia e Matit figuronte familja e kryeplakut të fshatit, vëllezërve të tij dhe e pleqësisë së fshatit, njëkohësisht anëtarë të Partisë Demokratike. Njëri prej tyre madje përfitonte 1 milion e 500 mijë lekë dëmshpërblim për shtëpinë, edhe pse kishte 15 vite që nuk jetonte në atë shtëpi.
Top Channel