Përfshirja e pandalshme e shumë shqiptarëve, sidomos të rinjve të ardhur rishtas në Britani, në rrugën e krimit dhe tafikun e drogës, ka qenë shqetësimi pas një videoje, e cila është bërë virale në internet, që synon t’i sensibilizojë ata që të mos bie prè e krimit të organizuar.
Një produksion i “The Albanian”, një nga portalet më të klikuara në medien shqiptare, videoja e titulluar “Vetëm një shans” është realizuar me ndihmën e disa prej aktorëve më të suksesshëm shqiptarë në industrinë britanike të filmit.
Përfaqësues të spikatur të komunitetit, si akademikë, përfaqësues të njohur të shoqatave të komunitetit, pjesëtarë të medies, biznesmenë, profesorë universitetesh, juristë, të gjithë shqiptarë të Britanisë, apelojnë që këta shqiptarë, shpesh në kushte mbijetese, të shmangin rrugën e krimit dhe të orientohen drejt dhe të përqafojnë mundësitë e pafund që ofron shoqëria britanike për integrimin e tyre.
Petrit Kuçana i “The Albanian” shpjegon arsyet pas këtij produksioni sensibilizues.
“Ne si media menduam që kjo video të sensibilizojë kryesisht mërgimtarët e rinj shqiptarë, që kanë ardhur në Britani dhe që janë shndërruar në kontigjent të krimit të organizuar, e sidomos të rinjtë e saporadhur, të cilët në kushtet e mbijetesës kanë humbur rrugën në oborr”, tha Petrit Kuçana.
Numri i shqiptarëve që gjenden nëpër burgjet britanike për vepra të ndryshme penale ka ardhur në rritje në vitet e fundit. Mendohet që shifrat e reja, që pritet të publikohen, ta çojnë numrin në mbi 1.000 të dënuar shqiptarë në burgjet angleze, ku shumica janë përfshirë në tregtinë e drogës, e veçanërisht kokainës dhe kultivimit të kanabisit.
Top Channel