Policia e Shtetit ka goditur edhe dy raste të tjera në vazhdën e operacioneve për ndëshkimin e personave që ushtrojnë ende aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Një rast është evidentuar në Tiranë, që ka sjellë procedimin penal për “organizim të lotarive të palejuara” të shtetasit 41-vjeçar Z.G., pasi në ambientet e lokalit të tij u konstatuan pajisje që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Ndërkohë, brenda 24 orëve të fundit është evidentuar edhe një rast tjetër në Klos të Burrelit, teksa në subjektin e shtetasit 35-vjeçar E.H. u konstatuan të montuara pajisje për ushtrimin e lojërave të fatit, person ndaj të cilit ka nisur gjithashtu procedimi penal për “organizim të lotarive të palejuara”.
Në përfundim të operacioneve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një njësi kompjuterike, dy televizorë dhe pajisje elektronike, të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112, ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme.
Top Channel